Shekulli: Nesër vendoset kandidati i PS-së për Tiranën
Subjektet politike kanë sot afatin e fundit për të bërë regjistrimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për procesin e zgjedhjeve të 21 qershorit. Deri më tani 54 parti politike kanë bërë regjistrimin pranë KQZ-së, duke zyrtarizuar pjesëmarrjen në zgjedhje.
Faza e parë e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, ajo që lidhet me përzgjedhjen e kandidaturave është futur në pikën më kulmore të saj. Vetëm dy muaj larg ditës vendimtare për të zgjedhurit vendorë, koalicioni mazhoritar duket se është një hap para përzgjedhjes së kandidatëve, në krahasim me opozitën, pasi rreth 80 për qind të emrave të propozuar tashmë janë zbuluar. Ndërsa opozita, edhe pse ditët e fundit e ka “shtuar” ritmin e saj, përsëri mban të pazbuluar emrat e bashkive të mëdha të vendit. Ajo që ende vijon të mbetet një “mister” është bashkia më e madhe në vend, Tirana.
Më konkretisht në mes të javës, pra ditën e mërkurë, sipas liderit të PS-së Rama, socialistët së bashku me aleatët, do të bëjnë publike emrat e bashkive që ende janë në pritje, mes tyre edhe emrin për kryeqytetin. Gjithashtu pritet edhe emri për një qytet tjetër të rëndësishëm, siç është Vlora. Gara për kryeqytetin tashmë është “ngushtuar” mes dy emrave, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe sekretarit Organizativ të PS-së, Blendi Klosi.
Mes Grida Dumës, Jorida Tabakut dhe arkitektit Besnik Aliaj, pyetja që shtrohet është se cilit nga këto tre personazhe të ndryshme, Basha mund t’i besojë “barrën” për t’u përballur në bashkinë më të madhe. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se kreu demokrat në tavolinë ka dy emra. Të dyja femra.
Mes Grida Dumës, e cila zotëron aftësi të mëdha në përballjet publike me rivalët, dhe “të urtës” Jorida Tabaku, kuotat flasin në favor të kësaj të fundit.Emri zyrtarisht pritet të dalë në fundjavë, pasi në ditët në vijim, Bashës i duhet të ulë tensionet me aleatët dhe nga ana tjetër të shohë dhe kandidatin që do të prezantojë PS-ja në mesjavë.
/shekulli.com.al