Pranimi nga shoqëria shqiptare e komunitetit LGBT+

Nga: Jonida Gjuzi
Pranimi nga shoqëria shqiptare i komunitetit LGBT + është një proçes i vështirë dhe gradual për t’u arrirë.
Faktorë ndikues janë kultura, mendësia, vlerat e rrënjosura për portretizimin e familjes ideale dhe ndryshimet brenda një marrëdhënie.
Sipas një studimi të kryer gjatë vitit 2016 nga Aleanca LGBT, ka pasur 532 raste bullizmi që përfshijnë: fyerje, ofendime, etiketime, poshtërim në rrugë, përjashtimi nga transporti publik, bare, palestra, supermarkete si dhe 8 raste të dhunës fizike të raportuara tek Aleanca. Nga këto vetëm 6 raste janë raportuar tek autoritetet.
Do doja ta nisnim këtë intervistë me një këndvështrim të përgjithshëm në lidhje me fenomenin e pranimit nga shoqëria.
Sa të vështirë e kanë anëtarët e komunitetit LGBT+ të pranohen nga rrethi familjar e shoqëror?
Në një shoqëri heteronormative si shoqëria shqiptare është e vështirë të mendosh që proçesi i pranimit është i lehtë. Këtu ndikon informacioni i pakët që njerëzit kanë bashkë me mosdashjen për t’u informuar. Shto këtu dhe ideologjinë komuniste që është ngulitur thellë në psikologjinë e familjeve tona. Personalisht kundërshtimin e has në një grupmoshë që i përket një brezi tjetër edukimi por dhe pak tek moshatarët e mi.
Përveç kësaj prindërit tanë krijojnë plane dhe pritshmëri që në momentin që ne lindim. Ata fillojnë të vizualizojnë familjen ideale bazuar në idetë e tyre mbi familjen ideale. Këto plane nguliten thellë dhe imponohen për gjatë gjithë kohës dhe në momentin që ato hidhen poshtë fillon një debat i thellë në të cilin i japin të drejtë vetëm ideologjisë së tyre dhe as nuk denjojnë të njohin më tepër rreth komunitetit.
E ndërsa ti has vështirësi në familje, ç’mund të themi për pjesën tjetër të shoqërisë e cila qoftë nga mendimi vetjak apo dhe e shtyrë nga mendimi se çfarë shoqëria do donte si përgjigje shtyhen të të diskriminojnë dhe të mos jenë pranues.
A mendoni se në dekadën e fundit shoqëria shqiptare ka evoluar në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT +? A është ky një proçes i vështirë dhe sa ndikojnë vetë të rinjtë në pranimin e komunitetit?
Do isha i padrejtë të thoja që nuk ka ndryshime. Vështirësi sigurisht që ka por unë jam pozitiv që ndryshimet do të ndodhin dhe gradualisht, me shpresën e mirë që të ndodhin, anëtarët e komunitetit LGBT+ do të pranohen si pjesë aktive e shoqërisë dhe nuk do të trajtohen si një komunitet jashtë shoqërisë “normale”. Të rinjtë e rritur me një frymë më të hapur janë ata që të rrisin shpresat që ndryshimi do të vijë shpejt.
Në kompani apo biznese ku keni aplikuar në faza rekrutimi sa e keni ndjerë diskriminimin?
Personalisht nuk kam ndjerë diskriminim pasi nuk më është dashur të paraqitem si pjesëtar i komunitetit, por bazuar në persona që njoh të cilët kanë tipare të sjelljes apo të fizikut me të cilat shoqëria jonë identifikon komunitetin LGBT+ kam dëgjuar mjaft raste të diskriminimit. Qofshin këto në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe tërthorazi.
A.Sh.