Kushtet e Gjermanisë për punëtorët nga Ballkani
Migracioni dhe refugjatët janë aktualisht ndër temat më të rëndësishme në Gjermani. Deri në tetor të këtij viti, janë paraqitur mbi 130.000 kërkesa për azil nga shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndër ta, rreth 45.000 janw nga Shqipëria dhe 35.000 nga Kosova, por siç është përmendur shpesh, shanset e tyre për azil janë gati të barabarta me zero.
Shanset për azil nuk ekzistojnë, por Gjermania ka lajmëruar se do të hapë tregun e punës prej vitit të ardhshëm për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas parashikimeve, ligji i ri do të jetë i vlefshëm për periudhën 2016-2020 dhe do të mikpresë 20.000 punonjës çdo vit.
Sekertarja e shtetit gjerman Anette Kramme, ka thënë për DW se migrantët mund të shkojnë në Gjermani vetëm nëse kanë ndonjë kualifikim të posaçëm.
“Ata ose kategorizohen si akademikë dhe mund të vijnë përmes Blu Card, që është mundësia e parë. E mundësia tjetër është nëse dikush ka një profesion të posaçëm, për të cilin ka mangësi në Gjermani”, ka thënë Kramme.
Gjithashtu ajo ka theksuar dhe njëhërë që për të shkuar në Gjermani duhen plotësuar disa kushte: “Ndonëse tani ne do ta hapim tërësisht tregun e punës për njerëzit nga vendet e Ballkanit, kushti i parë absolut është që të ketë një vend vend vakant. Dhe kushti tjetër është që për këtë të japë pëlqimin edhe Agjencia Federale e Punës, e cila të sigurojë, se për këtë vend pune nuk ka ndonjë kandidat nga Gjermania apo nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kushtet e punës duhet të jenë të barabarta”.
E pyetur se në cilat fusha të ekonomisë ka mungesë të fuqisë punëtore në Gjermani, sekretarja e Shtetit në Minsitrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, ka thënë se prioritet kanë fushat ku nuk kërkohet ndonjë shkollim i posaçëm, si dhe për vendet e punës për të cilat nuk ka kandidatë nga Gjermania apo Bashkimi Evropian.
/m.g
Burimi: Deutsche Welle