Komuniteti LGBT+, shenjestër e dizinformimit dhe gjuhës së urrejtjes online
Debati i nisur në një emision televiziv në qershor të vitit 2021 e vuri komunitetin LGBT+ në shenjestër të një fushate të gjatë dizinformimi, të mbushur me shpifje, deformime dhe gjuhë urrejtjeje.
Në emisionin “ABC e Pasdites” ishte e ftuar aktivistja Xheni Karaj për të folur për një debat të hapur në Britani për familjet e komunitetit LGBT+, por çështja u transformua sikur po ndodhte në Shqipëri dhe sot e kësaj dite vazhdon të shkaktojë polemika për të ashtuquajturit “Prindi 1” dhe “Prindi 2”.
Çështja u përdor nga anëtarët më të zëshëm të “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes&Jetës”, pastori Akil Pano dhe avokati Altin Goxhaj – ndërsa anëtarët e komunitetit vazhdojnë qëllimisht të sulmohen përmes komenteve online.
Edlira Mara tregon se si ajo dhe partnerja e saj u përballën me një pafundësi komentesh negative, me ofendime e kërcënime nga më të ndryshmet.
“Që pas atij emisioni, i cili ishte zanafilla e gjithçkaje, jemi bombarduar nga urrejtja online, komente negative, linçime, ofendime dhe kërcënime,” tregon Mara.
“Këto ndikojnë shumë në harmoninë familjare si dhe në shëndetin tonë mendor. Është e rëndësishme të rrethohesh nga njerëz që të duan e të mbështesin pa të gjykuar apo paragjykuar, sepse përndryshe këto situata mund të të dëmtojnë dhe tjetërsojnë si njeri. Fatmirësisht e kemi patur këtë mbështetje,” shtoi ajo.
Neni 120 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë parashikon dënimin me gjobë për ata që shpifin dhe dizinformojnë qëllimisht publikun, duke përdorur informacione të rreme, të pasakta që cënojnë nderin dhe dinjitetin e personit/ave.
Megjithatë, shumë prej anëtarëve të komunitetit LGBT+ përballen vazhdimisht me sharje, ofendime dhe gjuhë urrejtjeje në hapësirën e tyre në rrjetet sociale për shkak të orientimit të tyre seksual.
Përmes një pyetësori të publikuar online, Historia Ime kontaktoi me dhjetëra anëtarë të komunitetit LGBT+ në Shqipëri, të cilët thanë se ishin deklaruar si anëtarë të komunitetit LGBT+ në rrjetet e tyre sociale dhe për këtë arsye kishin rënë pre e gjuhës së urrejtjes.
Të anketuarit përdorin më së shumti aplikacionin Instagram, e ndjekur më pas nga rrjeti social Facebook.
Pyetjes nëse përveç rrjeteve sociale, a kanë hasur gjuhë urrejtjeje dhe dizinformim për komunitetin nga mediat, 88.6% janë përgjigjur pozitivisht.
Sipas anketës rezulton se ndryshimi i gjuhës së dhunës dhe urrejtjes mes mediave online të shkruara dhe mediave tradicionale është shumë i ngushtë dhe që tek të dyja ndeshet dizinformimi. Rreth 21% e të anketuarve thonë se kjo ndodh për shkak të paragjykimeve, gati 19% nga mungesa e informacionit,16% nga keqdashësia dhe 15.3% për shkak të klikimeve.
Gjuha e urrejtjes online ndaj anëtarëve të komunitetit LGBT+ buron kryesisht nga persona të panjohur apo profile anonime. Megjithatë, gati 32% e të anketuarve u përgjigjën se i kishin raportuar rastet, ndërsa 24.2% kishin reaguar apo debatuar, në përpjekje për të informuar personat që fshiheshin pas profileve anonime.
Mediat online janë platforma komunikimi me kosto të ulët dhe shpejtësi të lartë dhe kthehen shpeshherë në strehë për individë apo grupe radikale, të cilët sulmojnë grupime të caktuara shoqërore si gratë, emigrantët, invalidët, personat LGBT+.
Sipas gazetarit dhe aktivistit Isa Myzyraj, këto media janë gjithashtu gjeneratorë të dizinformimit, një fenomen që sipas tij është mjaft shqetësues.
“Dizinformimi në median shqiptare, si në atë vizive, por edhe në atë të shkruar është në nivele shqetësuese. Alarmante bëhet situata në median online. Sipas të dhënave në Shqipëri ka rreth 700 portale online të informacionit, shumica prej të cilave pa një pronar të identifikuar dhe me gazetarë “fantazmë”. Këto portale, duke mos pasur asnjë përgjegjësi ligjore, bëjnë shumë shpesh “lajme”që për qëllim kanë klikimet, pa marrë parasysh dëmin që shkaktojnë në shoqëri, pasi shumë artikuj janë fake news,” tha Myzyraj për Historia Ime.
Dizinformimi që ndodhi me temën “prindi 1” dhe prindi 2” sigurisht që pati jehonë edhe te vetë gazetarët. Myzyraj e konsideron këtë rast një shembull tipik të dizinformimit.
Sipas tij, mediat, fatkeqësisht në asnjë moment nuk bënë kontrollin e fakteve, nuk u thelluan se çfarë po ndodhte, por u mjaftuan me deklarata keqdashëse dhe mashtruese të disa personave që kishin marrë përsipër të shpifnin në dëm të komunitetit LGBT+.
“Ishte jashtë çdo etike ajo që ndodhi në median shqiptare, ku iu dha pa fund hapësirë këtyre personave që flisnin jo vetëm pa baza, por bazën e tyre e kishin shpifjen,” thotë Myzyraj.
Sipas tij, problemi qëndron si te mungesa e filtrave editorialë apo bordeve të etikës brenda mediave, ashtu edhe te edukimi mediatik i publikut.
“Publiku, jo shpesh herë di të dallojë një fake news nga e vërteta. Nëse një lajm publikohet në një tv ose portal, ata thonë “ja doli në lajme”, mjafton për ta që dikush të shkruajë diçka në portal, dhe e marrin si të mirëqenë,” tha Myzyraj.
“Arsyeja tjetër është që mediat që kontrollohen nga politika ose që kanë si qëllim në vetvete të ardhurat monetare, e shkruajnë një artikull fake news në një formë aq “të mirë” sa të ngjajë si i vërtetë,” shtoi ai.
Si gazetar dhe aktivist, Isa Myzyraj mendon se problemi i dizinformimit mund të zgjidhet duke krijuar më shumë platforma të kontrollit të fakteve si dhe duke ndërgjegjësuar publikun që të dallojë lajmet e besuara nga ato të rreme.
Nga sa vërehet dizinformimi dhe gjuha e urrejtjes është në përmasa të mëdha edhe pse ligji shqiptar parashikon dënim për ata që e kryejnë.
Neni 120
Shpifja
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 33;
ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 14)
Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.