Jamarbër Malltezi, “asi nën mëngë” i PD-së për Tiranën?
Gara për Bashkinë e Tiranës duket se është futur në fazën finale të saj edhe në radhët e opozitës. PD-ja që sipas të gjitha gjasave do të ketë të drejtën e propozimit të kandidatit të saj për kryeqytetin ende nuk ka dalë me një emër zyrtar, pasi kryesia e degës ende nuk ka formalizuar listën e kandidatëve, por baza sugjeron që të garojë, ish-ministrja Integrimit Majlinda Bregu dhe ish-ministri i Shëndetësisë Halim Kosova. Madje baza ka shprehur edhe dëshirën për një rikandidim të kryetarit Basha.
Por ajo që duket se është një nga alternativat më të mundshme për PD-në që konsiston edhe me pëlqimin e liderit Basha, por edhe me votën absolute të ish-kryeministrit Berisha është kandidatura e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi. Ndonëse emri i Malltezit nuk është përfolur fare nëpër media apo në ambientet e SHQUP-it, burime për gazetën “Shekulli” bënë me dije se Malltezi po e përgatit seriozisht një kandidim të tij në krye të bashkisë më të madhe në vend. Ndonëse baza ka dhënë votën e saj edhe për ish-ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, ishte vetë Bregu që në një dalje për mediat e mohoi një kandidim të saj të mundshëm për Tiranën.
Nuk dihet nëse kjo është një tërheqje personale e vetë Bregut të mos harrojmë që bëhet fjalë për bashkinë e kryeqytetit apo është një tërheqje për t’i lënë rrugë të lirë dhëndrit të Berishës, Jamarbrit. Ndërsa Halim Kosova, ish-ministri i Shëndetësisë ende nuk ka dhënë një reagim të tij në lidhje me kandidaturën. Por duket se në dhëndri i ish-kryeministrit Berisha qëndron një hap para edhe Halim Kosovës, nëse do të marrim parasysh impaktin që ka ish-kryeministri Berisha në Partinë Demokratike.
/Gazeta Shekulli