Itali, shoqërohet në polici gazetarja Kozeta Kurti si e dyshuar për vjedhje
Gazetarja Kozeta Kurti e cila aktualisht punon në TVSH është shoqëruar në policinë e Treviglios në Itali si e dyshuar për vjedhje dhe sipas mediave italiane tashmë është në ndjekje penale në gjendje të lirë.
Mësohet se gazetarja Kozeta Kurti ka qenë bashkë me 3 gra të tjera po me kombësi shqiptare në supermarketin ‘Montebello di Brembate’, ku janë marrë produkte kozmetike me vlerë 400 euro.
Ndërsa 4 gratë janë ndaluar nga rojet private janë shoqëruar më pas në polici ku Kozeta Kurti ka mohuar që të jetë e përfshirë në vjedhje.
Agjencia italiane e Shtypit “AGI” shkruan se 32 vjeçarja Kozeta Kurti është kapur në flagrancë duke vjedhur në një supermarket në periferi të Bergamos por vetëmbrohet duke pretenduar se gjendej aty vetëm si gazetare dhe prezantuese e versionit shqiptar të ‘Striscia la notizia’.
Shqiptaret e tjera janë një 37-vjeçare rezidente në Trezzo, një 45-vjeçare rezidente në Rimini dhe një 53 vjeçare pa një vendqëndrimi fiks.
Menjëherë pas shpërndarjes së lajmit në Shqipëri gazetarja ka reaguar nëpërmjet një video të publikuar në facebook ku sqaron se nuk është shoqëruar në polici si e akuzuar për vjedhje por vetëm për faktin se ishte prezente në vendngjarje si shqiptaret e tjera. Ajo ka shtuar se me median italiane do merret vetë ndërsa kërkon mirëkuptimin e kolegëve të saj në Shqipëri.