INSTAT: Përkeqësohen treguesit e popullsisë në tremujorin e katërt të 2016
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, situata demografike në vend gjatë tremujorit të katërt të 2016, është përkeqësuar për shkak të rritjes së numrit të vdekjeve, rënies së numrit të lindjeve dhe martesave. Në tremujorin e fundit të vitit 2016 pasqyrohet një rënie me rreth 23,8 % të shtesës natyrore të popullsisë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë tremujorit të katërt 2016, numri i vdekjeve ishte 5.782 duke shënuar një rritje me 9,1 % krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2015. Gjithashtu lindjet gjatë kësaj periudhe kanë pësuar rënie në 8.119 lindje apo 2,9 % krahasuar me të njëjtin tremujor të 2015.
Prej këtyre ngjarjeve popullsia e vendit është përfshirë në një cikël rënës, prej emigracionit të lartë, rënies së shpejtë të lindjeve dhe plakjes së popullsisë. Revista Ekonomike Monitor shkruan se me këto zhvillime ekonomia e vendit rrezikon të humbë konkurrueshmërinë që ka aktualisht me forcën e re të punës.
Monitor shkruan se sipas psikologëve dhe demografëve, rënia e lindjeve është ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit dhe situata ekonomike, që po kalojnë çiftet e reja. Papunësia në Shqipëri aktualisht luhatet në nivelin 16%, por ndër të rinjtë, deri në 30 vjeç, është më shumë se 30%.
Edhe sipas një publikimi të fundit të Eurostat, Shqipëria ka parë rënien më të madhe të lindshmërisë në rang evropian në dy dekadat e fundit.
Burimi: Monitor.al