Gjermania bie dakord për 6 miliardë euro shtesë për refugjatët
Kostot për strehimin e refugjatëve në vitin 2015 mund të arrijnë rreth 10 miliard euro. Në mes të kritikave të brendshme mbi vendimet e kancelares Angela Merkel, CDU dhe SPD diskutojnë për shpërndarjen e kostove.
Sipas një raporti të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemein Zeitung” shpenzimet financiare për të përballuar dyndjen e refugjatëve mund të shkojnë deri në fund të vitit për Gjermaninë diku midis 9 dhe 10.5 miliardë euro. Shifra bazohet në vlerësimet e kostove nga qeveritë e landeve në të gjithë vendin.
Në një samit për refugjatët të mbajtur nga parlamenti gjerman në korrik, u parashikua një buxhet prej 5.6 miliardë euro për rreth 450,000 kërkesa për azil që parashikoheshin këtë vit. Por në dritën e fluksit të fundit masiv të refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme Gjermania pret tani që në vend deri në fund të dhjetorit do të vijnë rreth 800.000 vetë.
Në nivel bashkish kostoja aktuale vjetore për refugjat është mes 12.000 dhe 13.000 euro, me të cilat mbulohen strehimi, ushqim, para xhepi, shpenzimet shëndetësore dhe shpenzimet administrative.
Edhe pse jo të gjithë azilkërkuesit do të qëndrojnë në Gjermani për tërë vitin, “Frankfurter Allgemein Zeitung” raportoi se duhet të merren gjithashtu parasysh edhe kosto të mëtejshme prej rreth gjysmë miliardë euro për shpenzimet për mësimdhënën dhe punonjësit e administratës pranë Zyrës Federale për Migrim dhe Refugjatë (BAMF). Po ashtu po diskutohet edhe për të shtuar forcat policore në Gjermani.
Por brenda palëve të koalicionit konservator të Angela Merkelit ka ndërkohë mosmarrëveshje në lidhjen me trajtimin nga ana e saj të krizës së refugjatëve.
Partia simotër bavareze e CDU-së, CSU-ja, thuhet se e ka kritikuar Merkelin për pranimin e më shumë refugjatëve që ishin bllokuar në Hungari këtë javë. Duke e quajtur këtë masë si “vendim të gabuar.”
Kritikat gjatë fundjavës erdhën pasi në në Mynih arritën të shtunën dhe të dielën 13.000 refugjatë. Shumica e të ardhurve kishin kaluar disa ditë në kampet e improvizuara në Budapest pasi autoritetet hungareze i kishin bllokuar të gjithë trenat që udhëtonin për në Austri dhe Gjermani.
Burimi: Deutsche Welle