Gazetarja Aurora Koromani kërcënohet nga terroristët; Reagon Avokati i Popullit, Komiteti i Helsinkit dhe Unioni i Gazetarëve
Një person i akuzuar për nxitje dhe rekrtutim me qëllime terroriste ka kërcënuar gazetaren Aurora Koromani të “Gazetës Shqiptare”.
Një prej personave të shpallur në kërkim nën akuzën e nxitjes dhe rekrutimit për qëllime terroriste ka kërcënuar gazetaren e “Gazetës Shqiptare”, Aurora Koromani.
“Duhet të paguash” ka qënë mesazhi kërcënues që i ka ardhur gazetares në profilin e saj në Facebook.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e saktë të autorit. Ndërkohë që çështja është klasifikuar si vepër penale “Kanosje për shkak të detyrës”, dhe ka kaluar në sektorin e Krimit Kompjuterik, Antiterrorit dhe Departamentit të Krimeve të Rënda.
“Që nga fillimi i kësaj historie, unë kam shkruar shumë artikuj, ku kam përmendur edhe dërguesin e mesazhit, edhe persona të tjerë të arrestuar tashmë, edhe intervistat me familjarët e të vrarëve në Siri, rrugët e rekrutimit të shqiptarëve për në Siri, objektet apo personat që janë në vëzhgim nga Antiterrori” – ka thënë gazetarja Koromani.
Avokati i Popullit Igli Totozani, ka reaguar përmes një deklarate për mbrojtjen e Lirisë së Shprehjes dhe në shenjë solidarizimi kundër kërcënimit të bërë ndaj gazetares.
“Avokati i Popullit shpreh indinjatën e tij personale dhe institucionale ndaj faktit kriminal të kërcënimit të gazetares Aurora Koromani. Duke e vlerësuar këtë akt kriminal ndaj saj si individ, por edhe si përfaqësuese e medias, Avokati i Popullit shpreh solidarizimin maksimal me të dhe me të gjithë kolegët e saj, duke kërkuar, shpresuar, përshëndetur dhe mbështetur angazhimin e menjëhershëm dhe efektiv të organeve ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorit apo autorëve të saj të mundshëm para drejtësisë. Avokati i Popullit çmon se ky rast nuk duhet lejuar të krijojë një precedent të rrezikshëm për jetën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes. Përkundrazi, ai duhet të shërbejë si precedent ndëshkueshmërie për këdo që guxon apo do të guxojë të sjellë në realitetin shqiptar jehona të largëta që nuk kanë aspak lidhje me frymën e tolerancës dhe fermentin plural, të cilin po përpiqemi të kultivojmë të gjithë si shoqëri dhe si shtet.”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit
Kliko më poshtë për të lexuar deklaratën e plotë:
Liria e Shprehjes-Deklarate Avokati Popullit
Për këtë ngjarje ka reaguar dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, përmes një deklarate që e dënon këtë akt dhe e quan cënim ndaj të drejtave të njeriut.
“Komiteti i Helsinkit ka reaguar në lidhje me kërcënim që ka marrë gazetarja Aurora Koromani, ndërsa e ka cilësuar atë si cenim të të drejtave të njeriut. “Dënojmë aktin, pasi është cënim i të drejtave të njeriut. Gazetarët duhet të jenë të lirë e të mbrohen. Ndaj iu bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që ti shkojnë në fund hetimit për zbardhjen e ngjarjes.”, citohet në reagimin e KSHH-së.
Unioni i Gazetarëve përmes një deklarate ju ka bërë thirrje autoriteteve të ndalojnë agresorin si dhe të garantojnë jetën dhe qetësinë e gazetares.
“Unioni i Gazetareve Shqiptare është njohur me kërcënimin që kolegia jonë Aurora Koromani, reportere në “Gazeta Shqiptare”, ka marre nga një person i cili ende nuk është ndaluar nga autoritetet policore të vendit. Kërcënimi ndaj koleges Koromani i përcjellë përmes rrjetit social fb, përben një shantazh dhe kërcënim të hapur për gjithë gazetarët. Kjo është gjuha kriminale e personave me lidhje te dyshimta dhe te kaluar të përfolur. Guximi i elementeve të tille për të kërcënuar gazetarët, për shkak dhe në krye të detyrës, është sfidë ndaj shtetit ligjor dhe një shoqërie që nuk mund të këtë terren për ekstremiste dhe mendësi terroristesh.”, citohet në reagimin e Unionit të Gazetarëve.