E vetmja rubrikë satirike në Shqipëri, solidarizohet me Charlie Hebdo me këtë foto e shkrim
Pas masakrës së tmerrshme në Paris, presidenti Nishani thirri urgjent Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të marrë masat ndaj ndonjë situate të ngjashme në vend.
Siç e ka zakon, presidenti në Këshill thërret dhe Lulzim Bashën, pavarësisht se nuk e ka ligji.
-Dua nga secili prej jush të më raportojë tani për gjendjen e sigurisë që ka shtypi në vend ndaj sulmeve terroriste, tha Nishani.
I pari u ngrit Edi Rama.
-Në dijeninë time, asnjë media nuk është e rrezikuar. Të gjithë janë në paqe me pushtetin dhe askush nuk ndihet i kërcënuar.
I dyti u ngrit përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman.
-Mendoj se nuk ka asnjë media të kërcënuar. Në dijeninë tonë, ekstremistët na kanë më shumë inat ne si Komunitet Mysliman, se sa median.
I treti u ngrit drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
-Nuk kemi asnjë sinjal për sulme ndaj medias, tha. Nga gjithë përgjimet tona, nuk na rezulton se ka ndonjë gazetar apo media të kërcënuar.
I katërti u ngrit shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
-Edhe ne raportojmë një gjendje të plotë sigurie, tha. Ushtria nuk ka marrë asnjë sinjal për sulme ndaj medias.
Në fund foli dhe Luli.
-Edhe ne nuk kemi sinjale se do ketë ndonjë sulm ndaj medias, tha. Shkëlzeni më ka siguruar se çunat e xhamisë janë të kënaqur.
Në fund, Nishani i kënaqur iu drejtua të pranishmëve.
-Ky është një sukses i madh dhe një arritje e Shqipërisë. Besoj se tek kjo arritje, ka meritë edhe qeveria, edhe opozita… Apo jo zoti kryeministër, iu drejtua Ramës?
-Jo, merita është e shtypit, tha Rama. Siç e dini, nuk kemi asnjë gazetë apo revistë humoristike dhe nuk na tall njeri. Kështu që nuk kanë kë të vrasin.
Rubrika Antena, si rubrika e vetme e përditshme satirike në vend, boton këtë foto në shenjë soldiariteti me viktimat e sulmit barbar mbi revistën satirike “Charlie Hedbo”
Për të lexuar shkrimet e përnatshme satirike shkoni ketu: http://www.gazetatema.net/web/category/antena/