Bankat greke zotërojnë 32% të kapitalit bankar në Shqipëri
Në një kohë ku çeshtja e ditës mbetet fati i Greqisë së “falimentuar”, në vendet fqinje ka një vëmendje të veçantë për atë që po ndodh atje, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Kjo, jo shumë për faktin se Greqia është një dominues ekonomik në rajon, pasi asnjë nga vendet e Ballkanit nuk mbështetet ekskluzivisht nga eksportet greke.
Sipas një analize të Balkan Insight, ndonëse Greqia ishte investuese e rëndësishme përpara fillimit të krizës në vitin 2008, ajo nisi tërheqjen e kapitalit në vitet e fundit. Madje, ka zëra mes ekspertëve ekonomikë, se një dalje e shtetit helen nga eurozona, do të sillte përfitime për vendet e tjera ballkanike, pasi kompanitë e mëdha mund të heqin selitë rajonale nga Greqia për t’i vendosur në ekonomi të tjera më të qendrueshme.
Megjithatë, kur vjen pun ate sistemi bankar i këtyre shteteve, përfshi edhe atë shqiptar, gjërat ndërlikohen, pasi sistemi grek është i ndërthurur fort me atë të këtyre vendeve.
Bankat greke në Ballkan:
Shqipëri: 3 banka greke zotërojnë 32% të kapitalit bankar
Maqedoni: 2 banka greke zotërojnë 20% të kapitalit bankar
Rumani: 4 banka zotërojnë 17,6% të kapitalit bankar
Serbi: 4 banka zotërojnë 15% të kapitalit bankar
Ekspertët mendojnë se dalja e detyrueshme e Greqisë nga monedha e përbashkët do të prekë edhe sistemet bankare të shteteve fqinje, ku ndikimi i bankave greke është i ndjeshëm. Rreziku më i madh është ai i efektit domino i panikut që është shfaqur në degët e bankave apo pikat e bankomateve në rrugët e Athinës para vendosjes së kontrollit të kapitaleve. Të mberthyer nga frika e humbjes së depozitave, edhe klientët e këtyre filialeve mund të dynden për t’i tërhequr ato, ndërsa frika për një mbyllje të tyre nëse mbyllen kompanitë mëma është mëse e justifikuar në këto çaste kritike.