Agjencia Kombëtare e Mjedisit publikon listën e plazheve më të pastra dhe të pisëta për 2017
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, publikoi sot të dhënat e monitorimit paraprak të cilësisë së ujërave larës përgjatë vijës bregdetare për vitin 2017. Nga monitorimi i kryer gjatë muajit Maj 2017, rezulton se këtë vit plazhet shqiptare janë të një cilësie shumë të mirë.
“Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka bërë një monitorim kampionimi në 102 pika përgjatë vijës bregdetare dhe ka realizuar monitorimin e ujërave larës në 20 plazhe. Nga analizat rezulton cilësi shumë e mirë në rreth 99 pika monitorimi pra mund të themi që plazhi mirëpret me një cilësi shumë të mirë uji të gjithë pushuesit”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Në listën e plazheve të monitorua për herë të parë është shtuar edhe Plazhi i Palasës me dy pika të tij të cilat janë cilësuar shumë të mira. Po ashtu vitin e kaluar iu shtuan listës plazhet e Divjakës, Tales, Spilles që po ashtu u cilësuan si ujëra shumë të mira larëse. Bazuar nga lista, mund të thuhet se nuk është përmirësuar cilësia e ujërave, por vetëm se i janë shtuar listës së monitorimit plazhe me cilësi më të mirë.
Sipas AKM-së ky është viti i dytë rresht që cilësia e plazheve është duke u përmirësuar. Por problem sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit mbetet cilësia e rërës. “Gjatë monitorimit kemi vënë re se kemi problematika përsa i përket jo cilësisë së ujit por cilësisë së rërës. Mungojnë koshat për hedhjen e mbeturinave, mungon informacioni që mund t’u jepet nga pushteti lokal pushuesve me tabela ku të jepen të dhëna për cilësinë e plazheve, pasi është mirë që informacioni të ndahet me qytetarët. Pushteti lokal është ende shumë larg punës që duhet të bëjë, për një mirë menaxhim të duhur të plazheve”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Në bazë rezultateve të fazës paraprake të cilësisë së ujërave larës për vitin 2017 rezulton se:
– Cilësia e ujërave larëse është shumë e mirë në plazhet e Divjakës, Velipojës, Tales, Shëngjinit, Gjiri të Lalzit, Golemit, Qerretit, Spillesë, Orikumit, Zvërnecit, Vlorës, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit, Sarandë, Semanit, Durrësit dhe Palasës.
– Cilësia e ujërave larës është e mirë në 3 pika monitorimi, tek Shkolla e Marinës në Vlorë, tek Kanali i Çukës në Sarandë dhe tek Kompleksi Giardino në Durrës. Të treja këto pika një vit më parë kanë rezultuar me cilësi të keqe të ujërave.
– Cilësia e Ujërave larëse është përkeqësuar në 2 pika të plazhit të Durrësit, konkretisht në Plazhin Zhiron dhe Pas Kanalit tek Plepat ku në bazë të analizave të kampioneve të marra, ujërat larës kanë rezultuar me një cilësi të keqe.