37 viktima nga shpërthimi në Ankara; Ministria e Mbrojtjes: Asnjë student shqiptar i lënduar
Kryeqyteti turk, është prekur sërish nga një sulm terrorist. Një makinë ka shpërthyer rreth orës 19:00 duke lënë të vrarë 37 persona dhe mbi 100 të plagosur.
Shpërthimi ndodhi në parkun Guven një zonë e rëndësishme tregtare, afër disa ambasadave dhe ministrive të Drejtësisë e asaj të Brendshme. Sulmi ndodhi dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan qytetarët amerikan në Turqi të shmangnin zonën pasi flitej për një sulm të mundshëm.
Pranë vendit të shpërthimit ndodhet gjithashtu Akademia Ushtarake ku gjenden edhe 71 studentë shqiptarë, por ministria e Mbrojtjes ka siguruar se nuk është lënduar asnjë prej tyre.
“Nga shpërthimi në Ankara nuk ka asnjë student shqiptar të lënduar. Komunikuam me atasheun ushtarak në Turqi. Atasheu na konfirmoi se studentët shqiptarë janë mirë. Pacientët që po kurohen në Turqi dhe familjaret janë mirë”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Në një deklaratë pas ngjarjes, presidenti turk Erdogan, tha se Turqia do ta “mposhtë” terrorin dhe do të vërë drejtësi duke gjetur presonat përgjegjës të shpërthimit.
Reuters shkruan se sipas provave të deritanishme, një nga sulmuesit ishte femër, anëtare e partisë kurde.
Ky sulm vjen pasi nuk ka kaluar as një muaj nga shpërthimi i makinës ku mbetën të vrarë 28 persona dhe 61 të plagosur, ku shumica ishin ushtarakë.
Sulme të mëparshme në Turqi:
- Shkurt 2016: 28 viktima dhe 61 të plagosur, shumica ushtarakë, mbetën nga shpërthimi i një makine në Ankara
- Janar 2016: 10 persona viqën dhe 15 u plagosën nga një shpërthim kamikaz në një nga lagjjet turistike të Stambollit
- Tetor 2015: Më shumë se 100 persona u vranë nga dy shpërthime kamikaz gjatë marshimit paqësor Kurd në Ankara
- Korrik 2015: Në qytetin me shumicë kurde, Suruc, në afërsi me kufirin sirian, u vranë mbi 30 persona për shkak të një shpërthimi kamikaz. /m.g