Në Shqipëri, personat LGBTI+ dhe pakica Rome dhe Egjyptiane, e në mënyrë të veçantë individët që i mbartin njëkohësisht të dyja përkatësitë rezultojnë të jenë midis grupeve më vulnerabël.
Nga njëra anë kemi të bëjmë me një pakicë etnike siç janë romët dhe nga ana tjetër me persona që kanë një orientim seksual dhe identitet gjinor të caktuar.
Pavarësisht tipareve të ndryshme që mbartin këto dy grupe shoqërore, nga shumë studime dhe raporte institucionale rezulton se pikëtakohen në disa prej problemeve sociale që lindin si pasojë e të qënurit ndryshe në perceptimin e shumicës, e për rrjedhojë shpeshherë të diskriminuar prej tyre. Kjo manifestohet edhe më qartë në personat që janë njëkohësisht LGBTI+ ashtu si edhe Rom apo Egjiptian.
Është një dukuri e problematizuar nga studiues të ndryshëm prirja e shoqërisë moderne, të themeluar mbi parimet esencialiste të ideologjisë së shtetit-komb, që të orientohet drejt ruajtjes së puritetit kombëtar në raport me pakicat etnike ashtu si edhe ndaj çdo grupimi shoqëror që bie ndesh me sistemin dominues vleror.
Megjithëse në këtë rast kemi të bëjmë me dy grupime shoqërore që në premisë janë shumë të ndryshëm, vektori i eksplorimit në disa aspekte të ndërveprimit social të shumicës me pakicën, pavarësisht nëse kjo e fundit buron nga përkatësia e ndryshme etnike apo nga orientimi i ndryshëm seksual dhe gjinor gjasat janë të larta që të përballemi me një korpus problemesh të ngjashme.
Civil Rights Defenders ka përgatitur një raport të detajuar mbi diskriminimin e dyfishte të këtyre grupeve. Raportin e plotë mund ta lexoni në vijim në shqip dhe anglisht.