Pse personat queer janë dhe duhet të jenë krenarë
Pak ditë më parë Julian Deda, përmes një aktrimi në një nga rrjetet e tij sociale, pyeste veten pse ne, si persona queer, jemi krenarë. Le ta diskutojmë këtë, duke shqyrtuar njëkohësisht disa lajme shqetësuese për rregullat e reja të përmbajtjes së Meta-s nën drejtimin e Mark Zuckerberg.
Në një përpjekje të trishtë për të fituar miratimin e Presidentit të zgjedhur Amerikan Donald Trump—dhe ndoshta për të kapur pak vëmendje nga Elon Musk—Mark Zuckerberg ka kthyer Meta-n në një hapësirë digjitale ku mund të lulëzojë urrejtja dhe dhuna verbale.
Disa nga politikat e reja të Meta-s lejojnë që gratë të përshkruhen si pronë, personat transgjinorë të dehumanizohen dhe të bëhen pretendime për sëmundje mendore të lidhura me orientimin seksual ose identitetin gjinor pa asnjë verifikim faktesh – raporton Advocate.com. Kjo qasje është poshtëruese dhe tregon injorancë dhekeqdashje, duke pasur parasysh se ekspertët e kanë hequr homoseksualitetin si çrregullim mendor më shumë se 50 vjet më parë (Psychology Today). Gjithashtu kjo ndodh në një kohë kur krimet e urrejtjes kundër individëve LGBTQ+ janë në nivelin më të lartë historik, me mbi 1,850 raste të raportuara në vitin 2023 (Human Rights Campaign).
Fatkeqësisht, ne kemi zëra të ngjashëm edhe në Shqipëri, me ata që publikisht përqafojnë retorikën e Trump. Këta persona, të cilët e fshehin homofobinë e tyre nën petkun e fesë apo teorive konspirative, vërtetojnë se si po shpërndahet kjo rritje botërore e paragjykimeve, edhe në vendin tonë. “Dashuria” e tyre për Trump dhe të tjerë që mbjellin urrejtje, tregon një gatishmëri shqetësuese për të hequr dorë nga respektimi i dinjitetit njerëzor për përfitime personale ose ideologjike.
Çfarë do të thotë kjo për të gjithë ne?
Kjo nënkupton që kur shoqëria normalizon urrejtjen, askush nuk është më i sigurtë. Sot sulmohen gratë dhe komuniteti LGBT. Nesër, mund të jetë kushdo që nuk përshtatet me vizionin e tyre të ngushtë shoqëror.
Por pse jemi krenarë?
Julian, ja si qëndron çështja: Krenaria nuk vjen se njerëz si Zuckerberg, Musk apo edhe ti, mund të na pranojnë. Krenaria buron nga forca jonë. Ne jemi krenarë sepse, edhe përballë politikave dhe retorikës që synojnë të na dehumanizojnë, ne vazhdojmë të jetojmë, të jemi të suksesshëm dhe të kontribuojmë në botë me guxim dhe ndershmëri.
Ndërsa Zuckerberg sillet si ndihmësi i vogël i Trump dhe Musk, ne nuk do të lejojmë që urrejtja e tyre të na përkufizojë.
Për çdo person queer që lexon këtë artikull, mos e humbni shpresën. Ne kemi kaluar kohë më të vështira dhe kemi dalë më të fortë. Përpjekjet e dëshpëruara të Mark Zuckerberg për të patur favorin e disa burrave të pushtetshëm, së bashku me përpjekjet lokale për ta mbajtur Shqipërinë në prapambetje, nuk do ta zhbëjnë përparimin apo të dobësojnë forcën tonë. Dhe mos harroni: asnjë algoritëm, politikë apo predikim nuk mund ta zbehë vlerën e asaj që jemi./E.M