Zhgënjimi i Anës… (VIDEO)
Gazetarja Mira Kazhani ka bërë këtë intervistë më poshtë për gazetën DITA me Ana Veizin:
Sytë e thellë dhe jeshil të ftojnë në një botë me trishtim.
Mjaftojnë disa minuta për të kuptuar se ish-11 vjeçarja që falë një kopertine Thano-Benzenberg u kthye 4 vite më parë në një lloj simboli të kërkimit të drejtësisë në emër të familjeve të viktimave të 21 janarit, sot druhet se askush nuk po ka më interes të kthej kokën pas.
Duket sikur pikërisht për këtë, Ana, sot 15 vjeç, ka vendosur të rritet sa më shpejt të jetë e mundur: të studiojë drejtësi dhe ndoshta atëherë do ia dal e vetme. A thua?
Ana thotë që ia ka bërë vetes këtë premtim: një ditë të udhëtojë e qeshur drejt Gjirokastrës për t’i treguar babit se e drejta vonoi por nuk harroi.
“4 vjet nuk kemi bërë gjë tjetër veç homazheve. Nuk dua të dal më shëtitje në Bulevard” – thotë ftohtë.
Nuk është një fjalë goje të shkosh e ta intervistosh. Jo vetëm pse është një vajzë e veçantë, por edhe pse vrasja e të atit nuk është një krim i zakonshëm. Për më tepër pamjet e filmuara dhe të transmetuara shumë herë janë ngulur fort në kujtesën e saj.
Kanë kaluar 4 vjet që atëherë. Arsyet e protestës bashkë me frymëzuesit e saj sot janë në pushtet bashkërisht. Shkaktarët e 4 varreve të hapur janë të lirë. Urdhëruesit duket se edhe ata janë të bashkuar. Asnjë i ndëshkuar nga Drejtësia.
Gjallë është vetëm një premtim që dikush ja ka bërë Anës po në një ditë Janari, mes karafilash e lotësh dhe që nga viti në vit shuhet ngadalë.
Një premtim i pambajtur deri më sot dhe i përligjur me disa ndihma financiare për Anën, vëllain dhe nënën e saj. Po, është e vërtetë qeveria e sotme dhe vetë kreu i saj Rama është kujdesur që të kenë bursa studimi fëmijët e Ziver Veizit dhe një punë në bashkinë e Fierit për nënën e saj Almën. Vëllai i Anës studion në Turqi Akademi Ushtarake ndërsa Ana ka siguruar një bursë në një Kolegj turk në Durrës.
Alma, nëna e Anës e cila ka qenë e divorcuar më herët me viktimën Ziver Veizi, tregon se e bija përjeton ditë të vështira sa herë që vjen Janari.
Alma është e kursyer kur flet për 21 janarin; ndoshta pak më pragmatike se Ana për arsye të imagjinueshme. Jashtë kameras thotë shpesh se financat nuk i mjaftojnë për veten dhe fëmijët. Lekët dhe humori i Anës duket se janë shqetësimi kryesor për të.
Ndryshe nga nëna e saj, Ana vetë reagon si një bijë që edhe pse 15 vjeç gjen fjalë të zgjedhura me kujdes siç di ta bëjë një zemër e lënduar. Duket qartë që nuk e ka të lehtë të bjerë në kompromis.
E kanë marrë në telefon nga Kryeministria për t’i thënë që kryeministri dëshiron ta presë këtë 21 janar në zyrën e tij me familjarët e viktimave të 21 janarit.
Ajo duket e dyzuar por shpejt më thotë që nuk dëshiron asnjë homazh e fjalime boshe për 21 Janarin. Pse?
“Mendoj se përgjigja mund të kuptohet nga të gjithë për arsyen se kanë kaluar 4 vjet tashmë dhe në këto 4 vjet nuk kemi bërë gjë tjetër veç homazheve. 4 vjet kemi bërë veç një shëtitje në bulevard duke mos dal e drejta. Nuk kam arsye pse ti bashkohem përsëri asaj shëtitje, asaj xhiroje që mund të bëhet aty duke mos patur arsye e duke mos qenë e lumtur që nuk është bërë ende drejtësi…” – thotë.
Nuk e fsheh zhgënjimin:
“Mendova që me t’u zgjedhur PS ne pushtet 21 janari do të ishte një nga çështjet më kyçe të kësaj qeverie, të këtij shteti. Nuk ndodhi ashtu! Besova se do rregullohej, se do mbaronte shpejt si temë dhe nuk ndodhi ashtu. Le të themi që jam e zhgënjyer. Tani mund të them që shpresa ime po shuhet siç po mbyllet edhe çështja…”
Kur i them që ndoshta qeveria e ka vullnetin por nuk e kanë gjykatat, ajo shton:
“Unë nuk e di arsyen e vërtetë por mendimi im është duan ta mbyllin si temë. Nuk duan të nxjerrin fajtorët. Për mendimin tim thjesht nuk kanë për qëllim të nxjerrin fajtoret. Duan ta mbyllin këtu, me kaq”.
Ja një pjesë nga biseda:
Ana Veizi: Shpresat janë shumë të pakta! Pothuajse zero mundësi. Por nëse do kërkoja diçka , dhe e kam fjalën pëer premtimin që më kanë bërë dhe premtimi ka qenë se kjo çështje nuk do të vonojë. Dhe në fakt kjo çështje po mbyllet.
Mira Kazhani: Kush jua ka bërë këtë premtim?
Ana Veizi: Premtimin ma ka bërë kryeministri i Shqipërisë!
Mira Kazhani: Kur ta ka berë? Ta ka thënë personalisht apo e ke fjalën për deklaratat e tij kështu në përgjithësi..?
Ana Veizi: Ma ka bërë personalisht!
Mira Kazhani: Kur?
Ana Veizi: Ma ka bërë në 28 Janar 2011, ditën e homazheve.
Mira Kazhani: Kanë kaluar 4 vite dhe gjatë kësaj kohe vonese a je përpjekur të komunikosh. Ndoshta ti çosh një email kryeministrit për t’ja kujtuar premtimin?
Ana Veizi: Me kyeministrin kam patur disa herë kontakte dhe gjithmonë më ka dhënë të njëjtin premtim: “drejtësia nuk do vonojë”
Mira Kazhani: E beson?
Ana Veizi: Nuk e di, por besoj që jo. Kanë kaluar 4 vjet dhe personat që janë të dyshuar janë të lirë.Ka shumë pak shpresë….
Janë disa gjithsesi që dëshiron t’i falënderojë:
Me ministrin Sajmiri Tahiri kam biseduar dhe më ka qëndruar pranë duke më ofriuar mbështetje.Më ka thënë përçfardo që të kem nevojë. Deputetja Arta Dade, Mimi Kodheli. Unë ju jam mirnjohëse që sado që nuk po ndodh asgjë, ata janë treguar të mirë me mua. E di që mbështetjen e tyre e kam dhe e di që nuk do më lënë vetëm….” – thotë.
E pyes Anën për lëndën e preferuar në shkollë, më thotë letërsia. “Është bota ime: – thotë me një gjallëri që nuk e pati në pjesën tjetër të intervistës. Por nuk i ndahet planit për të studiuar Drejtësi.
“Shkollën e mesme do e bëj këtu sigurisht por do më pëlqentë që studimet universitare ti bëja ose në Gjermani ose në Zvicër. Atje më kanë thënë që ka shkolla të mira për Drejtësinë…”
Dhe e mbyll me fjalët për babain:
“Do lutesha që një ditë të shkoja duke buzëqeshur tek ai varr për drejtësinë që do jetë vënë në vend…”
Me poshte video, ndersa intervista e plote tekst KETU
http://https://www.youtube.com/watch?v=g-CALIS-l4w