Kosova po përgatitet për zgjedhje parlamentare të parakohshme, që pritet në mbahen në datën 6 Tetor.
Pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj dhe mungesës së mazhorancës parlamentare nga ana e koalicionit qeverisës, partitë politike në Kosovë po krijojnë koalicionet parazgjedhore duke u përpjekur të sigurojnë një shumicë të mjaftueshme nga rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.
LDK, partia e dytë më e madhe e opozitës, ka nominuar për postin e Kryeministres, deputeten Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e shkuara rezultoi dhe si deputetja më e votuar në listën zgjedhore.
Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Prishtinës dhe është diplomuar në studime pas-universitare në Universitetin e Pitsburgut në SHBA. Osmani përshkruhet nga mediat lokale militante e fortë për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Ajo zotëron 4 gjuhë të huaja dhe përpos angazhimit të saj politik, është dhe lektore pranë Universitetit të Prishtinës.
Ajo garon përballë Ramush Haradinajt, Kadri Veselit, Fatmir Limajt dhe Albin Kurtit, për postin e kryministres.
Kandidimi i Osmanit për këtë post të rëndësishëm është padyshim një vendim historik për pjesëmarrjen e grave në qeverisje në rajon. Nëse arrin të dalë fituese pas zgjedhjeve të tetorit, Osmani do të kthehej në të parën grua kryeministre të zgjedhur me votë popullore në Ballkanin perëndimor. / k.j