Tre fëmijë që i luten Babagjyshit për një bukë
Në godinat e konvikteve në Institut të Kamzës, janë të shumta familjet që jetojnë pa drita dhe në kushte të vështira. Por, në një nga familjet e konviktit të njohur si “Godina 8” nuk ka trokitur vetëm errësira por edhe skamja, varfëria ekstreme dhe uria. Kjo është familja prej pesë anëtarësh me kryefamiljar Kadri Puçin.
Edhe pse i plotëson të gjitha kushtet, ai nuk merr asistencë sociale. Ai thotë për Dritare.net se ka shkuar disa herë në Bashkinë e Kamzës për të kërkuar një ndihmë minimale, por e vetmja përgjigje që ka marrë ka qenë injorimi, ose një udhëzim që nuk mund ta përballojë. E përcjellin duke i thënë: “Sill kontratën e shtëpisë me firmë noteri, për të bërë një kërkesë të plotë”. Por, siç tregon ky kryefamiljar ata nuk kanë mundësi të blejnë një bukë, dhe jo një kontratë të noterizuar.
Jo çdo ditë arrijnë të blejnë një bukë. Nëna e tre fëmijëve, Dafina tregon zgjimin e hidhur të familjes së saj, një luftë e vërtetë për mbijetesë. Fëmijët e kësaj familjeje, Muhamedi, Resuli, dhe Marsela nuk kanë ëndrra, ata nuk ankohen për lodra apo edhe për të parë televizor. E vetmja gjë që ata kërkojnë, është një bukë. Kaq i kanë kërkuar Babagjyshit tre të vegjlit: Një bukë të zezë në tavolinë.
Në këtë familje vetëm vogëlushi pesëvjeçar nuk e ndihmon dot familjen e tij. Motra dhe vëllai i tij dalin çdo ditë në kërkim “të ushqimit të tyre”. Asnjëri nga fëmijët nuk di shkrim dhe lexim sepse kjo familje nuk e përballon dot shkollimin e fëmijëve. Ato pak gjëra që kanë në shtëpi, janë gjëra që dikush i ka dhuruar apo edhe i kanë marrë nga kazanët e plehrave.
“E kemi shumë të vështirë të jemi prindër në këtë varfëri. Më vjen keq për vajzën time që nuk ka veshur kurrë një fustan. Nuk kam pasur mundësinë t’i blej një gjë që t’i bëj qejfin asnjërit prej fëmijëve”, rrëfen Kadriu.
Shqetësimi i tyre nuk është vetëm situata që po jetojnë, por edhe e ardhmja e frikshme. Lajmi se godinat do të prishen pas vitit të ri ia shton akoma më shumë frikën. Çfarë do të bëhet me ata , kur të dëbohen nga banesa? Kjo është një pyetje që Kadriu i bën vetes çdo mbrëmje dhe s’di ç’përgjigje t’i japë.
Lexoni shkrimin e plotë Dritare.net