Rapsodi 105 vjeçar, i fyer nga festivali: “Nuk shkoj më dhe sikur të më luten”
Ka pesë ditë që është mbyllur Festivali Folklorik i Gjirokastrës, i cili mblodhi pas vetes në një garë qindra artistë nga i gjithë vendi. Por jo çdo gjë ka shkuar vaj në festën e muzikës folklorike shqiptare. Përpos shfaqjes së bukur, mbrëmjen e fundit në skenën e qytetit të gurtë u ngjit edhe këngëtari dhe lahutari 105-vjeçar, Gjok Nonaj.
Dalja e tij në “qytetin e festivaleve” u konsiderua një surprizë e rrallë për publikun, studiuesit dhe dashamirësit e folklorit. Ai u ngjit në skenë së bashku me nipin e tij muzikant, Gjovalin Nonajn. Kjo familje edhe pse ka shprehur dëshirën për të qenë garuese në këtë festival, nuk është pranuar nga Qendra Kulturore e Lezhës, por ministria ka vendosur që lahutarët e familjes Nonaj të jenë të ftuarit specialë të këtij organizimi.
Nipi i Gjokës, djali i vëllait, artisti Gjovalin Nonaj, i cili jeton prej afro 20 vjetësh në Belgjikë është një muzikant i talentuar, që ka krijuar një ansambël folklorik me artistë të tjerë emigrantë shqiptarë dhe ka marrë pjesë në shumë veprimtari ndërkombëtare, përfshi edhe Festivalin Ndërkombëtar “TRAFIK-Ballkan”. Ashtu si xhaxhai i tij Gjoka, edhe Gjovalini ka dalë në skenë dhe ka kënduar me çifteli qysh në moshën 5-vjeçare, por edhe gjatë viteve të emigracionit, ai ka luajtur me disa vegla muzikore dhe ka interpretuar shumë këngë dhe melodi shqiptare të cilat janë pranuar mirë nga belgët dhe kanë bërë të njohura vlerat e trashëgimisë së lashtë kulturore të kombit shqiptar.
Nuk janë vetëm xhaxhai e nipi, Gjoka dhe Gjovalin Nonaj të cilët kanë trashëguar traditën në familjen Nonaj dhe kanë fituar çmime në veprimtari të rëndësishme folklorike kombëtare dhe ndërkombëtare, por në këtë familje me tradita folklorike dhe muzikore janë edhe të tjerët, vëllai i Gjokës dhe nipërit e mbesat.
Kontaktuam dhe biseduam me Gjokën, 105 vjeç dhe Gjovalinin për të mësuar më shumë për pjesëmarrjen e tyre në skenën e festivalit. Gjovalini ndihet i fyer dhe i parespektuar në këtë pjesëmarrje. “Në festival kemi shkuar me shumë vështirësi, jo me Lezhën mbasi nuk na kanë pranuar, por drejtoresha e Festivalit na ka thirrur si të ftuar.
Më datën 15 Maj kemi shkuar në Gjirokastër dhe më 16 kemi kënduar me grupet më të mira. Gjoka dhe familja Nonaj janë të pakënaqur mbasi nuk na ka pritë asnjë nga organizatoret, as Meri Kumbe nuk i ka dhanë as dorën plakut, as neve, ky është një turp i madh. Nuk kishin marrë asnjë masë teknike duke mos vendosur as mikrofona. Ky ka qenë një sabotim për lahutën, për plakun dhe të gjithë. Uroj që gjëra të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Unë e kam filmuar të gjithë prezantimin dhe do ta nxjerrë shumë shpejt”.
Cili ishte reagimi i xhaxhait tuaj në këtë situatë?
“Plaku është mërzitur, por përgjegjësit dhe organizatorët e këtij “krimi” do të mbajnë përgjegjësi. Dihet se janë komanduar nga njerëzit e këqij të Lezhës mbasi nuk donin që ne të ishim në festival. Nuk kanë pranuar të jemi 4 lahutarë, por vetëm 2. Ne jemi një familje dhe shyqyr që po e trashëgojmë këtë vegël të lashtë që rrezikohet të zhduket.
Familja Nonaj ka 600 vjet që interpreton me lahutë. Xhaxhai u ndie shumë keq mbasi nuk është pritur dhe respektuar nga askush. “Nuk shkoj ma në asnjë festival”, ka thënë plaku. E ta mendoni, është105 vjeç, rapsodi më i vjetër i Evropës, ndoshta”.
Habisë tonë ku e ka burimin jetëgjatësia dhe energjia e xhaxhait të tij, Gjovalini përgjigjet:
“Sekretet e jetëgjatësisë së plakut mund të jenë klima e mirë në Malin e Shëngjinit, ajri i detit, i malit. Ka ngrënë ushqim bio, ka kënduar gjithmonë me lahutë dhe është popullor dhe me shumë humor. Këtë herë ia kanë prishë pak humorin, por do të kalojë”.
“Mua më respektojnë nga e gjithë bota, këta nuk të japin as dorën”
Pas nipit, ne folëm me xhaxhain e tij, Gjokën. Zëri i kumbon nga telefoni, teksa flet me të, gati-gati harron që po komunikon me një 105-vjeçar, por në të njëjtën kohë të përfshin edhe një ndjenjë habie. Është i kujdesshëm, si fillim përshëndet dhe pyet për të përditshmen. Ndërsa vetë është mirë dhe sapo është kthyer nga një vizitë në shtëpinë e nipit të tij. E pyesim menjëherë për Festivalin e Gjirokastrës dhe na tregon që është shumë i mërzitur.
“E kam vendosur, nuk marr më pjesë në festivale edhe sikur të më luten. Në shtëpinë time kanë ardhur gazetarë italianë, gjermanë, edhe kanë ngelur shumë të kënaqur, kurse këta s’të japin as dorën. Do të doja të më respektonin më shumë. I kam dhënë mjaftueshëm muzikës folklorike shqiptare. Familja jonë ka 600 vite që i bie lahutës, dikush duhet ta vlerësojë këtë kontribut, jo të na trajtojnë kështu!. Jam shumë i mërzitur, shumë” – tregon Gjoka për DITA-n. Ai premton që nuk do të marrë më pjesë në festivale dhe… festivali i radhës realizohet pas pesë vitesh.
Nuk kuptohet qartë se përse organizatorët janë treguar kaq indiferentë ndaj kësaj familjeje të pazakontë, e mbi të gjitha ndaj 105-vjeçarit, i cili duhej konsideruar si një “gur i çmuar” i këtij festivali. Nuk e has shpesh një rast të tillë, që një burrë i cili ka kaluar një shekull jetë të këndojë dhe luajë me lahutë në skenë. Familjarët e 105-vjeçarit na kanë siguruar një kopje të pasaportës së tij, ndërsa ne, nga kurioziteti kemi bërë kërkimet tona dhe kemi verifikuar në Regjistrin e Gjendjes Civile të shtetasve se Gjoka ka lindur në 13 shkurt të vitit 1910.
600 vjet në lahutë
Gjok Nonaj është banues i Komunës së Shëngjinit, por prejardhja e hershme e familjes së tij është nga fshatrat e Malësisë së Madhe, që mendohet se është vend i origjinës dhe interpretimit të këngëve mitologjike të Eposit të Kreshnikëve. Interpretimi në Festivalin e Gjirokastrës nga goja dhe gishtat të këtij të moshuar të vargjeve mitologjike të eposit të lashtë shqiptar, vjen si një dëshmi e gjallë e transmetimit gojë më gojë dhe përcjelljes nga një brez te tjetri të këtij eposi të lashtë.
Ndonëse në një moshë të shtyrë, ndoshta është edhe njeriu me moshën më të madhe në Shqipëri dhe Europë, Gjok Nonaj vazhdon të gëzojë një shëndet të mirë dhe të bëjë një jetë aktive familjare dhe shoqërore, por edhe një jetë kulturore duke kënduar me lahutën e tij në festa familjare, në dasma dhe në
festivale lokale dhe kombëtare. Dy këngë të hershme të kënduara prej këngëtarit dhe lahutarit njëqindepesëvjeçar Gjok Gjonaj, me fragmente nga Eposi i Kreshnikëve dhe tjetra një këngë e lashtë 500-vjeçare për Skënderbeun, janë të regjistruara dhe mjaft të klikuara në YouTube.
Rapsodi Gjok Nonaj rrjedh dhe është pjesë e një familjeje të vjetër shqiptare nga Malësia e Madhe, familje në të cilën kënga, lahuta, çiftelia dhe sharkia kanë qenë pjesë e pandarë jetës së përditshme, familje e lidhur me traditën e të kënduarit në veri të Shqipërisë.
Pesë ditë më parë, rapsodi njëqindepesëvjeçar Gjok Nonaj ka interpretuar në koncertin përzgjedhës për në festivalin e madh të Gjirokastrës, ku morën pjesë edhe 270 interpretues nga grupe folklorike dhe artistë popullorë që përfaqësonin Qarkun e Lezhës nga Qendra Kulturore e Lezhës, Komuna e Shëngjinit, Komuna e Kallmetit, Qendra Kulturore Mirditë, Qendra Kulturore Kurbin, Ansambli Folklorik “Çiftelia” në Lezhë, Qendra Kulturore e Fëmijëve në Lezhë, Komuna e Zejmenit, Komuna e Pllanës, Komuna e Zadrimës, Komuna e Shënkollit, Komuna e Kolshit, Komuna e Ungrejit dhe Komuna e Dajçit. Sipas ekspertëve të folklorit që ndoqën këtë garë, që zgjati rreth 6 orë, grupet pjesëmarrëse prezantuan një pasuri me vlera të zonave etnografike të këtyre trevave. Interpretimi i rapsodit të vjetër u vlerësua dhe u pëlqye, jo vetëm për përmbajtjen e lashtë të tekstit, jo vetëm për interpretimin në instrumentin e lashtë të lahutës, por edhe për zërin e pastër të këngëtarit Gjok Nonaj.
/Entela Resuli/Gazeta Dita