Personazh: Audre Lorde

Lindi më 18 shkurt 1934 në Harlem, Nju Jork dhe ishte vajza e vogël e familjes. Prindërit e saj ishin emigrantë në ShBA. Ajo ndoqi shkollën fetare në vendlindje e më pas vijoi të studionte në kolegj. U diplomua për Administrim Librarish dhe gjatë kohës që ndiqte universitetin punonte për të paguar shkollën. Pas përfundimit të studimeve nisi të punonte si bibliotekare në Nju Jork. Botoi njëmbëdhjetë vëllime me poezi. Pas botimit të vëllimit të parë e la punën si bibliotekare dhe mori pjesë në rolin e mësueses në një workshop për poezinë.

Poezia e saj dallon për tematikat feministe, identitare. Ajo ishte jo vetëm poete, shkrimtare, por dhe aktiviste e cila luftonte për të drejtat e komunitetit LGBT+, ato të njerëzve me ngjyrë, të drejtat e grave. Audre preket nga tumori i gjirit por kjo e bën atë më të fortë. Ajo nuk u dorëzua por luftoi me sëmundjen deri në fund. Vitet e fundit të jetës i jetoi në një ishull në shoqërinë e shkrimtares dhe akademikes Gloria I Joseph, me të cilën kishte edhe lidhje dashurore.
