Një histori ndryshe për vajzat e futbollit
Publikimi i fotove të disa prej vajzave të Kombëtares, duke aluduar në lidhje me prirjet e tyre seksuale ka tërhequr vëmendjen e publikut, në lidhje me atë që ndodh në grumbullimet e vajzave kuqezi. Tema ka prekur jo vetëm të interesuarat e drejtëpërdrejta por edhe vajzat e tjera të Kombëtares, një ndër to është edhe Bilana Sadiku. Ajo është një nga futbollistet që i është bashkuar Kombëtares këtë vit, është rritur në Itali dhe aktualisht luan në Suedi dhe, që paprimtas ka parë vetën në një nga fotot e publikuara gjatë një momenti stërvitjeje.
“Nuk jetoj në Shqipëri dhe nuk i kam parë lajmet, por kur më kanë dërguar foton ku isha edhe unë në një foto kopertine më erdhi shumë keq, pasi të merresh me jetën private të disa njerëzve nuk ka kuptim. Në Shqipëri ka probleme nga më të ndryshmet dhe ka gjëra ku mund të përqëndrohesh më shumë, si për shembull sakrificat që bëjnë disa vajza që luajnë futboll në Shqipëri dhe në mbarë botën”.
Pikërisht, vajzat e Kombëtares janë dhe ato që sakrifikojnë për këtë pasion, akoma më tepër në Shqipëri ku iu duhet të ngrihen edhe mbi paragjykimet.
“Në Shqipëri është e vështirë se në shumicën e rasteve dëgjon të të thonë: “Ti je vajzë dhe nuk mund të luash futboll”. Është e vështirë nga ana psikologjike por mendoj se nëse një njeri ka pasionin dhe vazhdon përpara mund të bëj sakrifica që unë i bëj me vullnetin tim dhe do t’i bëja edhe njëmijë herë për futbollin.”
Pas një dëmtimi në ligament që i ndërpreu karrierën te Interi, ka kaluar në Suedi ku për të ndjekur ëndrrën futboll i duhet të punojë përditë dhe të përballojë jetën e vetme..
“Të duhet të punosh, pasi futbolli i femrave nuk ka arritur atë nivel që të jetosh si profesioniste me pagën. S’ke ndihmë ekonomike që të përkushtohesh vetëm për futbollin, duhet të punosh, të ndjekësh shkollën. Unë zakonisht punoj nga 6-8 orë në ditë, punoj edhe në fundjavë mbrëmjeve. Ka raste që ngrihem në 4 të mëngjesit dhe pas pune shkoj direkt në stërvitje. Ka shumë vajza dhe jo vetëm të Kombëtares, por të gjtiha ato që luajnë futboll dhe që nuk kanë ndihmën ekonomike nga familja apo sponsor, që sakrifikojnë përditë dhe e vetmja gjë që na lidh është pasioni”, ka thënë ajo për Supersport.
Bilana nuk ngurron të japë edhe ndjesitë se si i ka përjetuar ajo ditët në Kombëtaren e Futbollit të femrave,.
“Më vjen keq që mediat merren me jetën private të disa vajzave që unë edhe mund t’i njoh. Kam respekt për ato si lojtare pastaj çdo njeri në jetën private bën zgjedhje dhe jeta private është tjetër dhe ajo e futbollit diçka tjetër besoj”, ka thënë Bilana, e cila shton se për futbollin ka sakrifikuar gjithçka “Unë për veten time e dua futbollin më shumë se vetja, i kam përkushtuar jetën, kam lënë familjen, shkollën, me një anglishte elementare kam ardhur në Suedi dhe pak nga pak po ja dal. Ka pengesa por është më bukur kur i kalon ato”.
Historia e Bilana Sadikut, vajzës nga Kruja që ndjek ëndrrën në Suedi shërben për të kuptuar se për shumë vajza si ajo, vajzat e futbollit, nuk është një jetë qejfi, por plot sakrifica e përkushtim, ndaj më e pakta që meritojnë, është të mos i paragjykojmë. /m.g
Burimi:SuperSport