Ilir Belliu, poeti ikonë.

Ilir Belliu është një nga poetët avangardë dhe hermetikë të viteve ‘90. Kemi zgjedhur ta kujtojmë sot, në Ditën e Rinisë pasi ai ishte një nga pjesëmarrësit e protestës së studentëve të Dhjetorit. Shqipëria edhe pse ishte ngujuar për vite me radhë, kishte arritur të formonte njerëz me personalitet të fortë, intelektualë nga të gjitha fushat. Një ndër ta ishte dhe poeti Ilir Belliu. Përveçse intelektual, poet, liridashës, ai bënte pjesë në komunitetin LGBT+. Nuk do të ndalemi për të shpjeguar sa e vështirë ka qenë të ishe gej në kohën e komunizmit, as se sa ka vuajtur Iliri. Dëshirojmë të ndalemi tek roli i tij, pjesëmarrja në arenën kombëtare të postkomunizmit.
Në një nga intervistat e tij studiuesi, poeti, Agron Tufa thotë:
“Në tetor të vitit 1990 u organizua në Korçë nga LSHA Konferenca Kombëtare e talenteve të rinj. Javë më parë ishte arratisur Kadareja, duke kërkuar strehim politik në Francë. Ndjehej një atmosferë e elektrizuar edhe nga prania e Foto Çamit aty. Por gjithësesi aty parandjehej gremisja e afërt e stalinizmit shqiptar. Aty u takova me poetët që i kisha lexuar përmjet “Zërit të rinisë”. Gjatë tre ditëve aty u mblodhëm për herë të parë tok: Mark Marku, Rudian Zekthi, Rudi Erebara, Ervin Hatibi, Dritan Xhelo, Eneida Topi, Ilir Belliu, Alban Bala. Aty ka filluar edhe ngjizja e grupit që më vonë do të legalizohej si shoqata e parë letraro-artistike në Shqipëri me emrin e rëndomtë “RLA” (Rinia-Letërsia-Arti), madje përpara partisë së parë opozitare “Partia Demokratike”. Miqtë e mi ishin tepër të lirë, tepër të guximshëm, moskokëçarës e pak si të çmendur, sidomos kur u mblodhëm qysh natën e parë dhe ashtu në grup-gjysmërreth, në këmbë e solemnisht, – m’u në mes të qytetit, – pshurrëm mbi monumentin e Enver Hoxhës”.
Emri i Ilir Belliut gjatë periudhës kur diktatura është në grahmat e fundit të jetës, shfaqet në revistat e gazetat e kohës. Poezitë e tij nuk janë për masën e tërbuar të sapodalë nga kthetrat e egërsirave. Ato janë lirika të qashtra, të ngjizura nën ritmin e jetës, melankolisë, trishtimit e vdekjes. Ilir Belliu shënon kështu të parin anëtar të komunitetit LGBT+, poet, pjesëmarrës në protestat e dhjetorit, anëtar i grupeve rinore për letërsinë e asaj kohe, që kish dalë hapur dhe njihej për orientimin e tij. Figura e Ilir Belliut nuk mund të veçohet as nga komuniteti, as nga arti e letërsia, as nga Protestat e Dhjetorit. Ai mbetet një ikonë me të cilën komuniteti krenohet. Po ndajmë me ju një nga poezitë e poetit e cila titullohet “Më lini vetëm!
Më lini vetëm!
Kam nevojë të qaj!
Në shkëmbim të vetvetes.
Shi…
Shi që puth me epsh
Buzët e Tokësores
Shi…
Shi që trishtëm kotet
Si qen i qelqtë.
Më lini vetëm!
Për ju të festojmë,
Të këndojmë të varur
Në trekëndëshin e diellit.
Anais