Nga Kamza në Elbasan, Prindi 1 & 2 vazhdojnë fushatën.
Sot në Elbasan kryeministri Edi Rama, dhe pak ditë më parë në Kamëz, kryetari i opozitës Sali Berisha, vazhdojnë t’i bien një gozhde të ndryshkur. Me “Prindin 1” e “Prindin 2”, një retorikë e cila, që nga buja e kotë që shkaktoi, vazhdon të dëmtojë dhe shtrembërojë imazhin e perceptimin publik për komunitetin LGBT+.
Kryeministri, njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Tiranës për Partinë Socialiste, gjatë një takimi me sipërmarrësit në Elbasan, pati një dialog me një qytetar, i cili në vija të trasha i tha se “çfarëdo që të bësh, njerëzit dhe opozitarët do të kenë gjithmonë diçka për të kundërshtuar dhe për të sulmuar.”
Biznesmeni: Unë di të them një gjë: duam të ngremë biznese dhe nuk kemi njerëz. Kam ndërmarrje edhe në Durrës, jam drejtues teknik. Kam rënë njëherë poshtë dhe tani jam ringritur. Doja të dija çfarë do të ndodhë me faljen e borxheve të mëparshme, sepse biznesi ka dështuar për shkak të rritjes së çmimeve në vitet 2008-2009. Kam falimentuar. Tani po dal para kohe në pension dhe jam lokomotivë për një pjesë tjetër të kompanisë. Por, për sa i përket qytetit, unë i kam thënë kryetarit: nëse ka nevojë për sponsorizim para fushate, të më thotë, sepse përndryshe ta marrin sikur jam i majtë.
Edi Rama: Po pra, por e ke fajin vetë për këtë. Ka dy rrugë në këtë vend: o je vetja jote dhe shkon ku të duash, kur të duash, dhe nuk i dëgjon këta; ose, nëse bën si të thonë ata dhe i dëgjon, ti, miku im jo vëlla që të kam bërë unë në ’97 pas kësaj që ndodhi sot, unë dhe ti do të dalim çift. Do jemi “Prindi 1” dhe “Prindi 2” i një elbasanlliu të vogël.
Biznesmeni: Dyshimi i parë do jetë që kjo që unë mora mikrofonin është e stisur.
Edi Rama: Po, ti bëre gabim që e the këtë, se ne e diskutuam më përpara këtë punë, që ta shikojnë që ne kemi një marrëdhënie intime bashkë, por kemi frikë ta ekspozojmë.
Absurditeti po arrin dimensione të reja në këtë fushatë nga kandidatët që humbasin leksikun dhe normat e edukatës në takime, te deputetët dekadentë që nuk dinë çfarë flasin, e deri te një kryeministër që nëpërkëmb autizmin, verbërinë dhe mungesën e dëgjimit.
Në kontekstin tonë, mirë që në programin e Partisë Socialiste nuk ka as një rresht që përmend komunitetin LGBT+, seksualitetin apo gjininë, por kemi mbetur ende në rangje të barazisë gjinore. I pari i vendit merr përsipër të rikthejë në vëmendje një plagë dhe një fushatë të tërë dizinformimi për familjet me prindër të së njëjtës gjini në Shqipëri.
Mbase mund të falej, apo të justifikohej, po të vinte nga dikush që nuk ka ndikim në opinionin publik apo që nuk ndiqet në rrjetet sociale. Por jo, nuk mund t’i falet të parit të shtetit të bëhet vegël e një propagande dizinformuese, që për vetëm 2 orë ka arritur 95 shpërndarje dhe 219 komente.
E për më tepër, kur bëhet fjalë për kreun e Partisë Socialiste një parti që në parime e themele ka diversitetin, gjithëpërfshirjen dhe ndihmën ndaj shtresave të margjinalizuara. Nëse përmendjet janë të tilla, komuniteti LGBT+ do të vazhdojë të mbetet i margjinalizuar.
Turp i madh!
Nga ana tjetër, dekadori në politikë Sali Berisha, deklaroi në një takim me qytetarët në Kamëz se iniciatori i konceptit “Prindi 1” dhe “Prindi 2” është Edi Rama. Sipas tij, edhe deklaratat e fundit të kryeministrit për gratë dhe burrat janë një zgjatim i kësaj politike “sorosiane”.
Por ju ftojmë të hidhni një hije dyshimi edhe te Partia e vetë Z. Berisha, pjesë e së cilës, në një listë të hapur, pa një ulëse të sigurt në Kuvendin e shtatorit, është Jonathan Pano, djali i Akil Panos i cili ka qenë një nga kryeiniciatorët e propagandës dizinformuese “Prindi 1 & Prindi 2”.
Me këtë rast, ju rikujtojmë se një nisëm e tillë për të futur konceptet “prindi 1” dhe “prindi 2” në regjistrimet në shkolla, çerdhe e kopshte, nuk ka qenë kurrë iniciativë e organizatave LGBT+, as e ndonjë institucioni shtetëror. Por thjesht një fushatë propagandistike për të sulmuar lirinë dhe diversitetin.
Burime: Euronews, VNA.AL