Zhvillohet maratona e parë e editimeve për komunitetin LGBT në Wikipedian shqip
Foto: Wikimedians of Albanian Language User Group
Në kuadër të aktiviteteve gjatë javës kundër homofobisë 2018, u zhvillua ditën e diel dhe maratona e editimit me titull “WikiPride and Diversity” nga wikipedianët e komunitetit “Wikimedians of Albanian Language User Group”.
Çfarë është një maratonë editimi në Wikipedia (eng: edit-a-thon)?
Një edit-a-thon është një aktivitet ku Wikipedianë iu mësojnë pjesëmarrësve dijet teknike bazë për të kontribuar me përmirësimin dhe krijimin e artikujve në wikipedia për çështje të ndryshme. Të gjithë pjesëmarrësit hyjnë me llogarinë e tyre në Wikipedia si dhe pajisen me laptop ose kompjutera për të kontribuar në enciklopedinë më të madhe online në botë.
Përse zhvillohen maratonat e editimit?
Këto aktivitete kanë si synim shtimin e artikujve në Wikipedia si dhe shtimin e numrit të kontribuesve të rinj që mund t’i bashkohen lëvizjes për Wikipedian.
Komuniteti i wikipedianëve që kontribuojnë për Wikipedian shqip kanë zhvilluar ndër vite një sërë maratonash dhe aktivitetesh të ndryshme për Wikipedian si dhe projektet simotra të saj (WikiCommons, Wikidata etj). Këtë të diel ata zhvilluan në kuadër të “Pride Week” një maratonë editimesh për çështje të LGBT.
Disa prej artikujve të krijuar dhe përmirësuar mund të gjenden këtu.
Aktiviteti ishte pjesë e programit të konferencës për teknologjitë me kod burimi të hapur, OSCAL(Open Source Conference Albania).
/k.m/