Youth Initiative for Human Rights – Kosovo: Gjuhë diskriminuese me bazë gjinore në librat shkollorë
Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), në kuadër të implementimit të projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukimin gjithëpërfshirës” dhe rishikimit të teksteve shkollore, ka gjetur të dhëna të pasakta, gjuhë diskriminuese, mospërfshirje dhe nxitje të paragjykimeve dhe stereotipeve gjinore, patriarkale dhe raciste në tekstet shkollore të shkollave të mesme në Kosovë. Ndër temat më problematike dhe më pak të diskutuara gjatë orëve mësimore janë rolet gjinore dhe orientimi seksual.
Disa shembuj të shkëputur nga libri i Psikologjisë:
“Për mashkullin është më e rëndomtë që ai të jetë më garues, dominues dhe ngulmues. Për femrat gjithashtu është më e rëndomtë që të jenë më anksioze, të depresuara, të kenë vetëbesim më të ulët dhe shpërndajnë thashetheme të paqena”.
“Truri i mashkullit është për të bërë dhe ai i femrës për të folur”.
E ndërsa kapituj për orientimin seksual dhe personat LGBTI nuk përfshihen fare.
Për të folur më shumë rreth punës studimore të kryer, YIHR-KS, mbajti disa ditë më parë një diskutim me tëmë “Gjinia dhe Seksualiteti në tekstet shkollore” me pedagogë të Universitetit të Prishtinës dhe aktivistë për të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë me qëllim ndërmarrjen e iniciativave për implementimin e një programi mirëfilltazi për edukimin seksual. /k.m/