Ylli i Eurovizionit sulmohet nga policët homofobë në Moskë
Një këngëtar konkurues i Eurovizionit ka treguar se si u bë viktimë e një sulmi homofobik nga policia e aeroportit të Moskës.
Hovi Star, konkurenti i Izraelit në Eurovision 2016, kishte udhëtuar në Rusi për të promovuar këngën e tij “Made of Stars’, por tha se u bë viktimë e një sulmi nga policia.
Star thotë se oficerët e kontrollit të pasaportës dhe policia i grisën pasaportën.
Duke folur gjatë një interviste me televizionin maltez, Star tha: “Ndoshta njerëzit në Moskë e kanë të vështirë me njerëz si unë, ndoshta sepse jam gej, ndoshta sepse vishem kështu, ndoshta sepse bëj tualet, nuk e di.
“Por, kur doja të shkoja në Moskë, pata probleme me kontrollin e pasaportave. Ata më thanë se nuk mund të kaloja, panë pasaportën time dhe e grisën atë. Është e habitshme se si kjo ndodhi në atmosferën e Eurovizionit, sepse kënga ime Made of Stars flet për barazinë, sesi të gjithë jemi të njëjtë, të gjithë jemi lindur të njëjtë, të gjithë do të vdesim të njëjtë.
“Le ta marrim këtë si një mësim. Unë nuk e marr personalisht, mua më pëlqen Sergei Lazarov dhe Rusia. Kjo nuk ishte një përvojë e bukur, ne jetojmë, mësojmë, vazhdojmë, buzëqeshim dhe japim dashuri për të gjithë.”
Akuzat nuk janë komentuar nga aeroporti i Moskës.
Ai u lejua të hyjë në Rusi për të vazhduar turin e tij të promovimit të Eurovizion, por tha se ju desh të shkonte në Konsullatën Izraelite në Moskë për të marrë një pasaportë të re.
Këngëtari pritet të arrijë në finale të konkursit i cili zhvillohet më 14 maj në Stokholm.
Por, këngëtari rus Sergej Lazarov është aktualisht favorit për të fituar konkursin.
Akuzat kundër policisë ruse vijnë pasi vendi miratoi një ligj anti-gej në vitin 2013, i cili ndalon “promovimin e marrëdhënieve seksuale jotradicionale”.
Që kur ky ligj u nënshkrua nga presidenti Putin, ka ndodhur një rritje e numrit të sulmeve anti-LGBT në të gjithë vendin duke rritur ndjenjat anti-gej./A.A.