VIDEO/ Këngë për LGBTI nga Bojken Lako
Mbrëmjen e të premtes u mbajt për të tretin vit rresht Mbrëmja e Bamirësisë “Përqafo Ndryshimin, Mbështet Progresin” tek Pallati i Brigadave.
Edhe këtë vit eventi me rreth 150 të ftuar, i organizuar nga Streha, mblodhi së bashku përfaqësi të diplomacive të huaja në vend, anëtarë nga komuniteti i biznesit, shoqëria civile dhe anëtarë të komunitetit LGBTI. Të pranishëm në Mbrëmjen e Bamirësisë ishin Ambasadori i SHBA në Shqipëri Donald Lu, Ambasadorja e BE në Tiranë Romana Vlahutin, Ambasadori i Britanisë së Madhe Duncan Norman, Ambasadorja holandeze Dewi Van De Weerd si dhe përfaqësuesit e qeverisë, znj. Olta Xhaçka, ministre e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Znj. Milena Harito, Ministre e Teknologjisë dhe Inovacionit; Zonja Vasilika Hysi, Kryetare e Komisionit Juridik në Parlamentin Shqiptar, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës etj. Të gjitha të ardhurat e fituara nga biletat dhe ankandi i heshtur gjatë mbrëmjes, do të shkojnë për fuqizimin e të rinjve LGBTI në Shelter.
Gjatë mbrëmjes u prezantua edhe videoklipi “All for Love & Love for all”, i realizuar Bulza Entertainment dhe me pjesëmarrjen e këngëtareve Bojken Lako, Semi Jaupaj, Marsela Çibukaj, Kamela Islamaj si dhe mbështetës të kauzës.
Surpriza e dyrë e mbrëmjes ishte dhënia e çmimeve “Aleati i Vitit” për dy nëna që kanë mbwshtetur fëmijët e tyre. Ato ishin Znj. Djana Jahja e ëma e Kejda Jahja aktiviste dhe pjesëmarrëse e Big Brother 9 si dhe Znj. Liljana Priftuli, e ëma e një prej aktivistëve më të vjetër kauzës LGBTI, Kristi Pinderi.
Në fjalën e tyre organizatorët thanë se është mjaft i rëndësishëm ndërtimi i marrëdhënieve me aleatët e komunitetit. Streha për personat LGBTI, e vetmja e këtij lloji në Ballkan, siguron mbështetje jetike për të rinjtë LGBTI, të cilët kanë vuajtur nga abuzimi dhe diskriminimi dhe i pajis ata me aftësi dhe burime për të qenë të aftë të ndërtojnë një jetë dinjitoze, si anëtarë të barabartë të shoqërisë shqiptare.