Unë jam Ti
(dedikuar djalit të vetëvrarë)
Unë, ai, ti, ne të gjithë po vritemi përditë.
Vritemi përditë ku më shumë e ku më pak.
Na vrasin të gjithë, na vret familja, miqtë, shoqëria.
Na vret maska që vendosim në mëngjes dhe e heqim në mbrëmje.
Gjithçka është vrastare për ne.
Dhe pasi na kanë vrarë me fjalë, gjeste, dhunë, na çojnë drejt aktit final.
Na çojnë drejt vetëvrasjes.
Por nuk dua të ndalem e të analizoj aktin e vetëvrasjes.
As nuk dua ta viktimizoj viktimën.
Do të doja vetëm ta pyesja përse e bëri.
Por në pamundësi për të marrë përgjigje prej tij, po mundohem të përgjigjem vetë.
Mbase u vetëvra se nuk gjeti dot veten në këtë shoqëri derrash ku më i miri Derr mburret se ka noçkën më të madhe.
Ose sepse familja refuzonte ta kuptonte e ta pranonte birin, vëllain, nipin.
Ndoshta sepse nuk gjente më një fije shprese, një dritë sado të vogël që t’i ngrohte shpirtin.
Mbase të gjithë e kishin lënë në mëshirë të fatit dhe vetëvrasja ishte zgjidhja.
Nuk e di! As nuk e njoh!
Por di që iku një njeri, iku në mënyrën më të keqe të mundshme.
Iku duke i marrë jetën vetes!
Të paktën pusho i qetë aty ku ke shkuar!
Këtu nuk munde!
Nuk të lanë!/Lorela