Tirana Gay (P)Ride 7 – 13 Maj ora 11:00, itinerari i paradës
Të shtatin vit rresht Aleanca LGBT dhe Pro LGBT ju ftojnë të pedaloni kundër homofobisë dhe transfobisë në Tirana Gay (P)Ride. Personat LGBTI së bashku me aktivistë në mbrojtje të të drejtave LGBTI dhe aleatë të këtij komuniteti – ata që mendojnë se të gjithë duhet të kenë të drejta të barabarta dhe nuk kanë frikë të ngrenë zërin publikisht për këto të drejta – do të pedalojnë këtë të diel (në 13 Maj), ora 11:00. Pedalimi do të fillojë tek Pallati i Kongreseve duke vazhduar drejt Sheshit Skënderbej e më pas në bulevardin “Zogu i Parë”.
Mesazhet e këtij viti janë #kurajomedashuru, #krenarmeqenevetja dhe janë një thirrje inkurajimi për të jetuar të lirë dhe qenë vetja jo vetëm për personat e komunitetit LGBTI por për këdo që ndihet i stigmatizuar sepse perceptohet si i “ndryshëm” nga shoqëria.
Sipas Xheni Karaj, “askush nuk duhet të ndihet i turpëruar dhe diskriminuar sepse dashuron! Ka ardhur koha që të bashkohemi për t’i thënë PO dashurisë pa dallim gjinie, orientimi seksual, etnie, race, feje”.
Pas pedalimit me biçikleta, sheshi Skënderbej do të kthehet në një skenë koncerti kundër homofobisë dhe transfobisë nga Bojken Lako, një prej personazheve publik përkrahës për komunitetin LGBTI. Ai do të performojë për të treguar që dashuria i përket të tërëve atyre që dinë dhe duan të dashurojnë.