David Matheson, një ish-terapist konvertimi për personat e komunitetit LGBT+, doli hapur për orientimin e tij seksual pas disa bisedave private të shpërndara në media nga një organizatë për të drejtat e komunitetit.
Një predikues i flaktë i terapisë së konvertimit dhe i idesë se orientimi seksual mund të “kurohet” e të ndryshojë, tashmë ai ka vendosur të jetojë i lirë jetën e tij të ndërthyer për vite me rradhë me urrejtje dhe homofobi.
Terapia e Konvertimit ose e quajtur ndryshe si terapi rehabilituese, promovon idenë e gabuar dhe të hedhur poshtë shkencërisht se të qënurit gej mund të kurohet. Këto terapi janë denoncuar nga studiuesit dhe Shoqatat Ndërkombëtare të Mjekëve, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe.
Matheson sërish mbetet i mendimit se ka arritur të shëroj disa individë dhe pse ka dëmtuar rëndë psikologjikisht shumë të tjerë.
“Jo për të shfajësuar veten, por eksperiencat e mia si terapist ishin të shtyra nga mendjengushtësia dhe perceptimi i gabuar mbi idenë e të “shëndetshmes””, deklaroi ai në një postim në Facebook. “Terapitë ishin të frymëzuara gjithashtu dhe nga homofobia. Jam vërtet i keqardhur për dëmin që kam shkaktuar ndaj disa njerëzve. Dhe gjithashtu kërkoj ndjesë për paqartësitë dhe dhimbjen që i kam shkaktuar të tjerëve me zgjedhjet e mia.”
Ish-terapisti, njëkohësisht anëtar i kishës Mormone, e pranoi hapur seksualitetin e tij pasi grupimi për të drejtat LGBT “Truth Wins Out” raportoi se zotëronte një bisedë private midis tij dhe një mbrojtësi të terapisë së konvertimit.
Pas publikimit të këtyre bisedave, Matheson deklaroi në Facebook orientimin e tij seksual dhe se kishte vendosur të ndryshonte jetën e tij duke divorcuar fillimisht bashkëshorten, me të cilën ishte martuar prej 34 vitesh, pasi tashmë e kishte të pamundur të mohonte tërheqjen e tij ndaj meshkujve. /k.j