Sipas teorisë së evolucionit, speciet të cilat ishin të destinuara për të mbijetuar ishin ato që u përshtaten. Gjithsesi sot, pasi shoqëria ka kaluar tatëpjetat e nevojshme për t’u zhvilluar nga ana sociale, ende ka njerëz që këmbëngulin në mospërshtatje dhe mospranim.
Komuniteti Lgbtq prej shumë e shumë vitesh përballet me stigma dhe qasje të ndryshme. Disa prej të cilave mund të konsiderohen edhe anti njerëzore.
Një prej qasjeve anti njerëzore është edhe terapia e konvertimit, e cila është aplikuar te personat që bëjnë pjesë te ky komunitet në forma të ndryshme për shekuj me radhë.
Në periudhën e Gjermanisë Naziste gjatë viteve 1939-1945, veç Hebrejve një nga komunitetet më të diskriminuar ishin homoseksualët. Në këtë kohë ka pasur një qasje mizore ndaj këtij komuniteti, duke filluar nga terapitë e konvertimit e deri te dallimi që u bëhej të burgosurve homoseksualë nëpër kampe. Vlen të thuhet se nëpër këto kampe niveli i vdekshmërisë tek të burgosurit homoseksualë shkonte deri në 60 përqind.
Në atë kohë sipas shkrimeve të ndryshme janë përdorur metoda nga më çnjerëzoret për t’ua kthyer seksualitetin në “normal” këtyre personave.
Metoda të tilla, ose metoda pak më të buta vazhdojnë të përdoren dhe të reklamohen edhe sot nga rryma të caktuara të shoqërisë edhe pse Shqipëria që nga viti 2020 e ka të ndaluar terapinë e konvertimit. Këtë lajm mund ta lexoni këtu.
Pak muaj më parë një gazetare italiane me emrin Nausica Della Valle u shfaq në median shqiptare në shoqërinë e pastori Akil Pano, duke pretenduar se shkuarja në një Kishë e kishte bërë të kuptonte se nuk ishte lesbike, pas dekadash të tëra.
Më tej, zonja Della Valle tregon edhe në lidhje me organizatën e saj, e cila përqendrohet te “kthimi i seksualitet në normalitet”.
Diskutime të tilla në media nuk ka pasur shumë, por është çnjerëzore ta bësh një njeri të ndihet jo normal nisur vetëm nga eksperienca personale.
Nga ana tjetër zonja në fjalë duket se ka arritur sukses të madh me terapinë e konvertimit. Le të themi që po të ishte Hitleri gjallë do ta duartrokiste dhe do ta kishte shumë zili.
Gjithsesi përtej absurdit dhe ironisë, duhet të përshtatemi me kohën kur jetojmë. Sot bota po shkon gjithnjë e më shumë drejt pranimit të asaj çka është ndryshe. Normalja ka trajta të ndryshme dhe mbi të gjitha njerëzore.
Një shembull shumë i mirë sa i përket pranimit të asaj çka është e ndryshme vjen nga Kanadaja.
Vetë kryeministri Justin Trudeau ka shpërndarë në rrjetet e tij sociale, një status ku shprehet se në Kanada do të ndalohet terapia e konvertimit për personat homoseksualë.
“Nga sot, është zyrtare: Terapia e konvertimit (shërimit) është e ndaluar në Kanada. Legjislacioni i qeverisë tonë hyri në fuqi- që do të thotë se është e jashtëligjshme të promovosh, të reklamosh, të përfitosh nga, ose ta bësh dikë subjekt të kësaj praktike të urryer e të dëmshme kudo në vendin tonë. Të mbijetuarve të cilët në mënyrë të guximshme treguan historitë e tyre, advokuesve të cilët vazhduan të ushtrojnë presion dhe Parlamentarëve të cilët punuan bashkë për ta kaluar këtë legjislacion: faleminderit. Dhe kanadezëve LGBTQ2: qeveria jonë do jetë gjithmonë me ju dhe do vazhdojmë të punojmë fort që ju të ndiheni të sigurt e të mirëpritur, pavarësisht kë doni apo si identifikoheni!”
Kjo qasje jep shpresë edhe për vende si Shqipëria. Ndoshta një ditë do të mësojmë dhe do të kuptojmë se të pranosh diçka ashtu siç është të bën njeri më të mirë, në vend që të luash Doktorash Nazistë në kampet moderne të përqendrimit! / Arjola Hajdini