Të rinjtë LGBT me aftësi të kufizuara duhet të luftojnë, thjesht që të merren seriozisht
* Dr. Alex Toft kërkues shkencor i interseksionalitetit midis rinisë, aftësisë së kufizuar dhe seksualitetit.
Kur i afrohen adoleshencës, të rinjtë nisin pyetjet mbi tërheqjet seksuale dhe mbi mënyrën si e kuptojnë gjininë. Nëse janë me fat, ata kanë akses në edukimin seksual, ose me mentorë apo edukatorë që i mbështesin në këtë rrugëtim.
Por, kërkimet e mia me të rinjtë që identifikohen si LGBT+ dhe me aftësi të kufizuara tregojnë se shpesh trajtohen sikur gjinia apo seksualiteti i tyre të jetë vetëm një fazë kalimtare.
Duke parë përvojat e të rinjve të moshave 16 – 25 vjeç gjatë kërkimit tim, kam kuptuar se sa e dëmshme mund të jetë kjo qasje. Të mos e kuptosh se të rinjtë me aftësi të kufizuara mund të jenë LGBT+, mund t’i zvogëlojë atyre mundësinë për të pasur një jetë të përmbushur seksuale. Kjo qasje zvogëlon gjithashtu mundësinë që ata të marrin ndihmën dhe mbështetjen e duhur në lidhje me seksualitetin e tyre gjatë gjithë jetës në vazhdim.
Të parit e gjinisë apo seksualitetit si një fazë nuk është një gjë e re. Por, për të rinjtë me të cilët ne punojmë kjo vjen si pasojë e keqkuptimeve që lidhen me aftësinë e kufizuar. Kjo është ajo që tha një i ri, duke folur në lidhje me aftësinë e tij të kufizuar:
“Ndonjëherë mendoj se mamaja ime i mendon të gjitha problemet e mia të shëndetit mendor dhe autizmit… Unë mendoj se ajo shpreson që do të largohen, dhe vazhdon të më thotë se unë do të filloj një punë, gjë që më bën të ndihem edhe më keq. Kjo gjë më bën të ndihem në panik. Më bën të ndihem sikur dëshiron një fëmijë më të mirë se unë, sikur unë nuk jam mjaftueshëm i mirë sepse nuk dua të punoj”.
Këto ide rreth aftësisë së kufizuar shpesh bëhen bashkë me keqkuptimet rreth seksualitetit. Një i ri shpjegoi se si për të qenurit gej “iu vu faji” aftësisë së tij të kufizuar. Ata mendojnë se jeni LGBT+ “sepse jeni të sëmurë ose keni autizëm”.
Veç konfuzionit rreth aftësisë së kufizuar dhe seksualitetit, të rinjtë raportuan sfida që lidhen me moshën e tyre. Një të intervistuari i ishte thënë që të mbajë një identitet gjinor të caktuar deri sa të rritet e të bëhet më i pjekur, “në mënyrë që të marrë kohë e ta dijë me siguri”.
Këto reagime tregojnë se ka një rezistencë ndaj të rinjve me aftësi të kufizuara që identifikohen si LGBT+. Duket se ekziston një perceptim se të rinjtë me aftësi të kufizuara nuk mund ta kuptojnë seksualitetin LGBT+. Por historitë që të rinjtë më treguan flasin për një proces të gjatë drejt kuptimit të seksualitetit dhe gjinisë. Vendimet e tyre nuk ishin të nxituara apo rezultat i trendëve.
Nuk është “një fazë kalimtare”
Etiketimi i seksualitetit si një fazë kalimtare tregon se kjo është diçka që personat do ta kalojnë, duke dalë në fund si heteroseksualë. Kjo e bën çdo gjë tjetër veç heteroseksualitetit të duket e gabuar dhe sugjeron se ka diçka të padëshirueshme në të qenurit LGBT+. Një nga të rinjtë tha se ata mendojnë që “të jesh LGBT+ në botën heteroseksuale është diçka e keqe”. Shoqëritë e kanë të vështirë të pranojnë personat LGBT+ me aftësi të kufizuara, sepse ata shihen si jo-seksualë dhe të paaftë për të kuptuar se çfarë do të thotë LGBT+.
Seksualiteti dhe gjinia duhen menduar si pjesë e jetës dhe jo si një moment kalimtar. Kjo është e rëndësishme, sepse të rinjtë LGBT+ me aftësi të kufizuara kanë nevojë për mbështetje të veçantë.
Etiketimi i seksualitetit të tyre si një fazë kalimtare i mohon atyre qasjen në informacion, pasi seksualiteti i tyre nuk shihet si i vlefshëm. Ata mund të vuajnë nga diskriminimi, dhuna fizike dhe psikologjike për shkak të asaj kush janë dhe shpesh lihen të luftojnë vetëm, pasi askush nuk i njeh për ata që janë.
Në mënyrë që të punojmë kundër paragjykimeve, ne duhet të dëgjojmë eksperienca te të rinjve LGBT+ me aftësi të kufizuara. Mohimi i seksualitetit të tyre apo konsideromi i tij si një fazë kalimtare, tregon shumë mbi qëndrimet e shoqërisë mbi personat që janë LGBT+, të rinj dhe me aftësi të kufizuara. Më e rëndësishmja është se këto qëndrime kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e të rinjve, në një kohë që ata fort dhe përballojnë sfidën e njohjes së vetes.
/l.k./