Të qenit transgjinor, hiqet nga lista e çrregullimeve mendore

Organizata Botërore e Shëndetësisë miraton legjislacionin, që nuk i kategorizon personat trans si të kushtëzuar nga një gjendje mendore e caktuar.
Ndonëse një lëvizje disi e vonuar, gjithsesi, Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) ka miratuar legjislacionin, për të hequr nga lista e çrregullimeve të shëndetit mendor, të qenit transgjinor. Legjislacioni ka potencial për t’u dhënë më shumë lehtësi personave trans (dhe jo vetëm) në rrugën ligjore dhe pa ndjekje penale për përkatësinë e tyre.
Vendimi u miratua të premten më 25 maj nga Asambleja Botërore e Shëndetit – organi vendimmarrës i OBSH-së që përfaqëson 194 shtete anëtare – dhe pritet që ky vendim të pasohet në politika zyrtare dhe përfitime të tjera për personat transgjinorë në mbarë botën.
Duke e mirëpritur veprimin, zëdhënësi për të drejtat e komunitetit LGBT në Mbretërinë e Bashkuar u shpreh: “Të qenit trans nuk është një sëmundje mendore dhe arritja e njohjes së këtij fakti nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është hap mjaft i rëndësishëm për të drejtat e njeriut. Personat trans që kërkojnë mbështetje, duhet të pranohen atë që janë. “
Zëdhënësi shtoi: “Tani presim ndryshime edhe në Britani. Reformimi i Aktit të Njohjes Gjinore i vitit 2004, do të ishte një hap i madh përpara drejt barazisë. Sipas sistemit aktual, njerëzit trans duhet të diagnostikohen me një sëmundje mendore për të aplikuar për një Certifikatë Gjinore, ndërsa personat e tjerë “jo-binar” nuk janë të njohur fare. Zëvendësimi i këtij procesi dehumanizues me një sistem vetëvendosës, do të ndryshonte jetën e shumë personave trans’ në Britani “.
Aktivistët e të drejtave të transgjinorëve po punojnë në mënyrë konstante, për t’i mbijetuar një klime, ku njerëzit transgjinorë janë ndër grupet më të margjinalizuara dhe të cenueshme në shoqëri. Fatkeqësisht, dhuna ndaj personave trans është shumë e zakonshme – javën e kaluar në një grua transgjinore 23-vjeçare, Muhlaysia Booker, u vra një muaj pasi videoja e rrahjes së saj nga katër burra, u publikua dhe u bë virale. Vetëm pak ditë më vonë, Presidenti Trump njoftoi ndryshime gjithëpërfshirëse në ligjet që mbrojnë njerëzit ndaj diskriminimit në kujdesin shëndetësor.
Ndërsa OBSH shpreson se këto hapa do të ndihmojë në eliminimin e diskriminimit kundër njerëzve transgjinorë, ka një mënyrë të pamohueshme për të bërë hapa para, drejt barazisë. Një raport i kohëve të fundit nga Stonewall zbuloi se 45% e njerëzve të rinj trans kanë tentuar vetëvrasje së paku një herë në jetën e tyre; një shkallë shumë më e lartë sesa pjesa tjetër e njerëzve, identiteti gjinor i të cilëve përputhet me seksin në certifikatat e lindjes. Megjithatë, vendimi i OBSH-së është shpresëdhënës dhe se pranimi i të drejtave të transgjinorëve, nuk ka qenë ndonjëherë më pranë.
