Në Tiranë, në datat 5 dhe 6 Shkurt, u zhvillua një takim koordinues me përfaqësues të Bashkive, institucioneve të përkujdesjes sociale pranë Bashkive dhe organizata të vendosura jashtë Tiranës, me qëllim krijimin e një rrjeti aleatësh të kauzës LGBTI+ dhe përmirësimit të përpjekjeve për advokimin e të drejtave të këtij komuniteti.
Në takim pati përfaqësues nga Tirana, Elbasani, Kruja, Shkodra, Kukësi, Mati dhe Korça. Takimi vjen si pjesë e aktiviteteve të projektit “Diversifikimi dhe fuqizimi i lëvizjes kombëtare për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTI+”, financuar nga National Democratic Institute në Shqipëri.
Përgjatë një viti, përfaqësues së organizatave Aleanca LGBTI dhe Pro LGBT kanë udhëtuar në rrethe dhe bashki të ndryshme të vendit, për të evidentuar problematikat me trajtimin e rasteve të komunitetit LGBTI+ në secilin prej këtyre lokaliteteve. Më së fundmi, takime u zhvilluan në Korçë, Mat dhe Shkodër, me punonjës socialë, përfaqësues së pushtetit vendor dhe organizata partnere.
Gjatë takimit dy ditor me aleatët e kauzës, u fol më gjerësisht mbi problematikat dhe nevojat e komunitetit LGBTI+ në Shqipëri, shërbimet e ofruara ndaj komunitetit dhe rastet e mos-ofrimit të tyre si dhe u prezantuan fushatat ndërgjegjesuese të ndërmara në vite nga organizatat e komunitetit LGBTI+.
Një nga objektivat kryesore të këtij takimi, ishte dhe ideimi i fushatave të vogla në disa prej bashkive pjesëmarrëse në takim, me qëllim përmirësimin e qasjeve të punonjësve ndaj rasteve të dhunës apo diskriminimit që vinë nga pjesëtarë të komunitetit.
Pjesëmarrësit në takim, votuan për idetë më të mira, të cilat do të implementohen deri në muajin Prill, me ndihmën e organizatave në Tiranë në bashkitë e Matit, Kukësit dhe Korçës.
Qëllimi kryesor i këtyre projekteve, do të jetë fuqizimi dhe gjithpërfshirja e entiteve dhe organizatave të ndryshme mbështetëse në lëvizjen LGBTI+, duke u përpjekur të krijojnë ambjente më miqësore e mirëpritëse për komunitetit, edhe jashtë kryeqytetit.
Muajt në vijim pritet dhe nisja dhe zbatimi i projekteve të sipërpërmendura, ndërsa do të vijojë turi i takimeve në bashki të tjera të vendit.
#BashkëPërKauzënLGBTI #UnëJamAleat