Sulmi brutal ndaj një gruaje trans ndez frikë në komunitetin LGBT në Malajzi
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/08/5b7f6c73200000360837a6e6-407x300.jpeg)
Rantau, Malajzi – Aktivistët thonë se vendi ka përjetuar një rritje të vazhdueshme të diskriminimit kundër komunitetit LGBT gjatë muajve të fundit.
Në dhomën e saj të zymtë në një fshat të Malajzisë, Suki qëndron në shtrat ndërsa rimerr veten nga një sulm brutal i cili ka nxjerrë në pah atë çka aktivistët thonë se po rritet: armiqësinë ndaj njerëzve gej dhe transeksualë në vend.
Një grua transgjinore, Suki, u rrah nga një grup sulmuesish javën e kaluar me shkopinj dhe tuba plastikë në Seremban, një qytet në jug të kryeqytetit malajzian Kuala Lumpur.
Ajo pësoi thyerje brinjësh, një shpretkë të dëmtuar dhe lëndime në kokë, të cilat kërkonin shtatë qepje. Policia ka arrestuar tetë burra të dyshuar për kryerjen e sulmit.
“Ata më goditën dhe më shkelmuan në mënyrë të përsëritur, nuk mund të lëvizja”, tregon ajo për Fondacionin Thomson Reuters në shtëpinë e saj në Rantau, një fshat i humbur në Negeri Sembilan.
“U përpoqa të thërrisja për ndihmë, por nuk mund të flisja dot”, thotë Suki, një estetiste part-time në të 30-tat e saj, e cila kërkoi të mos identifikohej plotësisht për të mbrojtur privatësinë e vet.
Lezbiket, homoseksualët, biseksualët dhe transeksualët (LGBT) kanë kohë që përjetonë diskriminim sidomos në pjesën myslimane të Malajzisë.
Seksi gej mbetet i ndaluar sipas një ligji britanik të epokës koloniale, ndërsa të veshurit si seksi i kundërt është i paligjshëm. Aktivistët thonë se një ligj kundër “sjelljes së turpshme publike” është përdorur për të synuar minoritetet seksuale.
Por gjatë javëve të fundit, disa incidente të ndodhura kanë ngritur shqetësime mes grupeve të të drejtave të njeriut, se klima për komunitetin LGBT të vendit po përkeqësohet më tej.
‘SHTYPJA SISTEMATIKE’
Ministri i Çështjeve Islamike është shprehur kundër njerëzve gej dhe urdhëroi heqjen e portreteve të dy aktivistëve LGBT nga një ekspozitë arti këtë muaj, duke shkaktuar një zemërim publik.
Javën e kaluar, dy gra në shtetin konservator të Terengganu u dënuan me rrahje shkopinjsh sipas ligjit islamik të sheriatit, pasi u kapën duke u përpjekur të bëjnë seks në një makinë. Të shtunën, oficerët bastisën një bar gej në kryeqytetin Kuala Lumpur.
Aktivisti Dorian Wilde tha se deklaratat anti-LGBT nga zyrtarët shkaktojnë stigmë dhe diskriminim ndaj komunitetit, dhe njerëzit transgjinorë në veçanti duhet të mbajnë peshën e urrejtjes për shkak të vizibilitetit të tyre.
“Sa më shumë thuhet, aq më shumë keqinformim buron dhe gjërat sa vijnë e bëhen më të dhunshme”, tha Wilde, një burrë transgjinor i cili themeloi grupin mbështetës Transmen of Malaysia.
Sipas Wilde, në mediat sociale ditët e fundit ka pasur një reagim të madh me komente homofobike dhe transfobike, të cilat përfshijnë përshkrimin e njerëzve LGBT si “njerëz të ferrit” dhe thirrjen për t’i vrarë ata.
Në vitin 2017, sipas grupit të të drejtave të njerëzve trans “Justice Sisters”, janë raportuar tri raste vrasjesh të grave trans, ndërsa qindra femra të tjera trans janë arrestuar gjatë viteve të fundit sipas ligjit kundër cross-dressing.
Bashkëthemeluesi i grupit, Thilaga Sulathireh, tha se Malajzia kishte një qëndrim tolerant ndaj njerëzve transgjinorë deri në fillim të viteve 1980, kur një këshill i liderëve myslimanë lëshoi një dekret fetar kundër operacioneve për ndryshimin gjinor për myslimanët.
Që atëherë ka pasur një rritje të vazhdueshme të diskriminimit.
“Kjo lloj shtypjeje është shumë sistematike, duke nisur që me kartat e tyre të identifikimit, e deri tek gjetja e punës, strehimi dhe kujdesi shëndetësor”.
“Në këtë pikë, ajo që ne kërkojmë është ndalimi i dhunës dhe diskriminimit; ne nuk kërkojmë ndonjë të drejtë të veçantë, vetëm që njerëzit të jenë të lirë të jenë vetvetja”, tha Sulathireh.
Konservatorizmi në rritje ka ushqyer frikën se marka e moderuar e Islamit gjithnjë e më shumë po kërcënohet nga ekstremistët.
Mbi 60% e popullsisë së Malajzisë, prej 32 milionë banorësh, janë myslimanë, por ky vend i Azisë Juglindore është gjithashtu vendi i një numri të madh pakicash etnike që praktikojnë fe të tjera.
“Njerëzit ndjehen të shqetësuar,” tha Numan Afifi, një gej mysliman i cili drejton grupin e aktivistëve Pelangi, të cilët luftojnë kundër diskriminimit LGBT.
“Dëgjojmë raste të grave trans që diskriminohen në vendin e tyre të punës, si për shembull kur punëdhënësit i detyrojnë ato të presin flokët”.
AGJENDA E REFORMËS
Qeveria, e cila mori pushtetin në zgjedhjet e majit pas fushatës bazuar mbi agjendën e reformave, është nxitur nga aktivistët dhe anëtarët e administratës që të veprojnë kundër përhapjes së urrejtjes ndaj njerëzve LGBT.
“Kjo fushatë urrejtjeje kundër njerëzve me orientim seksual të ndryshëm duhet të ndalet,” tha Hannah Yeoh, zëvendësministre për gratë, familjen dhe zhvillimin e komunitetit.
“Mund të mos pajtoheni me to, por përdorimi i dhunës është një akt frikacak. Krimi i urrejtjes është i gabuar dhe duhet të dënohet”, shtoi ajo.
Mia, një grua transgjinore që jeton në Seremban ku Suki u sulmua, tha se komuniteti lokal transgjinor ishte i frikësuar dhe i tronditur.
“Kemi kaluar shumë trauma për shkak të identitetit tonë, por dhunë të tillë nuk kemi parë ndër vite”, tha 40-vjeçarja, e cila nuk pranoi të jepte emrin e saj të plotë për shkak të frikës së pasojave.
“Nuk ndihem e sigurt. Sot viktima është Suki, po të nesërmen apo ditën më pas? A do të jem unë? ” pyeti Mia, ndërsa lotët i rridhnin syve./R.M