SkaNdal nëpër qytetet e Shqipërisë
Në kuadër të një projekti të organizuar nga Korpusi i Paqes të Shteteve të Bashkuara, Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT, Pro LGBT dhe OJQ-ve të ndryshme, me qëllim që të rritet ndërgjegjësimi në lidhje me çështjet LGBT në komunitetet jashtë Tiranës, ditën e hënë në Durrës, në ambientet e organizatës CSDC u shfaq dokumentari SkaNdal, i cili është dokumentari i parë me metrazh të gjatë mbi lëvizjen LGBT në Shqipëri. Pas shfaqjes së dokumentarit, pjesëmarrësit, ndërmjet të cilëve kishte përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Social Shtetëror, psikologë të shkollave të ndryshme, e institucione të tjera u angazhuan në një debat të gjerë në lidhje me problematikat e komunitetit LGBT. Ky ishte angazhimi i katërt i tillë dhe do të vazhdojë edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë.
Edhe pse kishte mendime dhe pikëpamje të ndryshme midis pjesëmarrësve, përgjigjet përgjithësisht ishin pozitive. Gjithmonë ka patur disa ide të gabuara në lidhje me personat LGBT, dhe kjo u vu re edhe nga ushtrimi që u zhvillua mbi stereotipet për komunitetin LGBT, si psh: vajzat lezbike vishen si djem, kanë zë të trashë, kanë flokë të shkurtër dhe kanë karakter mashkullor. Ndërsa për gejtë ishte ndjesia se ishin shumë të sjellshëm, femërorë në veprime dhe të folur dhe shumë të kuruar nga pamja e jashtëme. Pas shfaqjes së dokumentarit SkaNdal, në debatin mes të pranishmëve nga komuniteti, OJQ-ve, psikologëve dhe aktivistëve të komunitetit LGBT u diskutua mbi shumë problematika që has komuniteti LGBT në jetën e përditëshme dhe se si duhet vepruar që këto problematika të minimalizohen. Bashkëpunimi në Durrës me CSDC pa progres të jashtëzakonshëm për ndërgjegjësimin e LGBT-ve në këtë qytet./A.A.