Sipas studimit 1 në 4 adoleshentë LGBQ tentojnë vetëvrasjen
(Reuters Health) – – Adoleshentët LGBQ kanë tre herë më shumë gjasa të bëjnë vetëvrasje se bashkëmoshatarët e tyre heteroseksualë, sugjeron një studim i kryer në SHBA.
Në një anketë kombëtare prej rreth 16,000 të rinjsh, rreth 25 përqind e adoleshentëve LBGQ thanë se kishin tentuar të bënin vetëvrasje të paktën një herë gjatë vitit të kaluar, krahasuar me rreth 6 përqind të adoleshentëve heteroseksualë, raportojnë studiuesit në Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane.
Studimi gjithashtu gjeti, se të rinjtë e pakicave seksuale kishin dy herë më shumë gjasa të mendonin për vetëvrasje ose të planifikonin vetëvrasje, edhe pse nuk e kryenin atë.
“Adoleshentët LGBQ përballen me rreziqe të larta vetëvrasëse,” tha studiuesi John Ayers, një studiues në Universitetin e San Diegos.
“Ne duhet të pranojmë se vetëvrasja e adoleshentëve LGBQ është një krizë kombëtare e shëndetit publik dhe sjell burime të jashtëzakonshme për të përballuar dhe për të trajtuar krizën”, tha Ayers me email.
Ndërsa disa hulumtime të mëparshme kanë vënë në dukje rrezikun e rritur të vetëvrasjeve për adoleshentët e minoriteteve seksuale, studimi i tanishëm ofron dëshmi të reja nga një sondazh i madh përfaqësues në nivel kombëtar të nxënësve të shkollave të mesme në SHBA.
Në përgjithësi, 89 për qind e pjesëmarrësve e identifikuan veten si heteroseksualë në anketën e vitit 2015. Një tjetër 2 për qind identifikohej si gej ose lezbike, ndërsa 6 për qind thanë se ishin biseksualë dhe 3.2 për qind thanë se dyshonin ose nuk ishin të sigurt për identitetin e tyre seksual.
Për të vlerësuar rrezikun e vetëvrasjes, pjesëmarrësit u pyetën sa herë gjatë vitit të kaluar kishin konsideruar seriozisht vetëvrasjen, kishin planifikuar vetëvrasjen ose u përpoqën të vrisnin veten.
Studimi zbuloui se midis pakicave seksuale, 40 përqind e adoleshentëve thanë se kishin konsideruar vetëvrasjen dhe 35 përqind e tyre kishin planifikuar një tentativë vetëvrasje.
Në të kundërt, 15 përqind e adoleshentëve heteroseksualë thanë se kishin konsideruar vetëvrasje dhe 12 përqind thanë se kishin planifikuar një tentativë për vetëvrasje.
Rritja e rrezikut për vetëvrasje midis adoleshentëve të minoriteteve seksuale u vërtetua kur studiuesit i panë veçmas femrat dhe meshkujt.
Lesbiket kishin dy herë më shumë gjasa të bënin vetëvrasje se vajzat e reja heteroseksuale, dhe shanset ishin më shumë se të trefishta për biseksualet.
Adoleshentët gej kishin më shumë se katër herë gjasa të provonin vetëvrasjen se sa meshkujt heteroseksualë, ndërsa biseksualët kishin më shumë se pesëfishin e rrezikut.
Studimi nuk ishte një eksperiment i kontrolluar për të provuar nëse orientimi seksual mund të ndikojë në rrezikun e vetëvrasjes. Hulumtuesve gjithashtu i mungonin të dhënat për identitetin gjinor apo për të rinjtë transgjinorë, të cilët mund të kenë një rrezik edhe më të lartë të vetëvrasjes sesa adoleshentët gej dhe biseksualë.
Megjithatë, rezultatet i shtohen provave që sugjerojnë se adoleshentët e minoriteteve seksuale kanë një rrezik më të lartë të vetëvrasjes sesa të rinjtë e tjerë, tha Hongying Dai, një studiues në Spitalin e Fëmijëve Mercy dhe Universitetin e Missouri-Kansas City i cili nuk ishte i përfshirë në studim .
Ndërsa studimi nuk tregon se çfarë mund ti kishte nxitur adoleshentët të konsideronin ose të tentonin vetëvrasjen, është e mundur që adoleshentët e pakicave seksuale mund të kenë qenë në rrezik të shtuar, sepse ata përjetojnë ngacmime verbale, ngacmime fizike ose ndjehen të pasigurtë në shkollë, tha Dai me email.
“Studimet kanë lidhur nivelet e larta të stresit për shkak të stigmës sociale, margjinalizimit, diskriminimit dhe përvojave të ngacmimeve me një gamë të gjerë të sjelljeve të rrezikshme shëndetësore, duke përfshirë sjelljet vetëvrasëse”, tha Dai.
Prindërit mund të ndihmojnë në zvogëlimin e këtij stresi duke folur me fëmijët e tyre, tha Kimberly McManama, një studiuese e psikiatrisë në Spitalin e Fëmijëve të Bostonit dhe Shkollën Mjekësore të Harvardit, e cila nuk ishte e përfshirë në studim.
“Flisni me fëmijët tuaj për identitetin e tyre seksual dhe gjinor herët në moshë dhe shpesh,” tha McManama përmes postës elektronike. “Le ta dinë që gjithçka që ata ndjejnë, për ju është në rregull dhe se jeni të gatshëm të flisni me ta kur ata vetë të jenë gati.”/A.A.