Dita e djeshme shënoi Ditën Ndërkombëtare të ndërgjegjësimit mbi SIDA (Sindromi i immuno-deficencës së fituar), që shkaktohet nga virusi HIV.
Në shumë vende të botës, kjo sëmundje ende po merr me mijëra jetë njerëzish në vit. Nga rreth 770.000 vdekje të shkaktuara nga SIDA në botë, rreth 2/3 e tyre ndodhën në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, dy rajonet me normën më të lartë të prekshmërisë dhe aksesin e kufizuar në trajtime dhe shërbime shëndetësore të specializuara për këtë sëmundje.
Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për HIV / AIDS (UNAIDS), 37.9 milion njerëz në mbarë botën po jetonin me HIV në fund të vitit 2018. Raportet e UNAIDS tregojnë se rreth 1.7 milion njerëz në mbarë botën u infektuan rishtazi në vitin 2018.
Edhe pse kërkimi shkencor vijon prej dekadash, pavarësisht kurave që ndihmojnë në uljen e shkarkimit viral të virusit, duke e kthyer atë në “të fjetur”, sërish ende nuk është zbuluar ndonjë trajtim efikas që do të mund të sjellë shërimin nga virusi apo sëmundja.
Sfidat kryesore të kërkimit shkencor në të ardhmen janë përmirësimi i sistemeve shëndetësore dhe kurave si edhe zbulimi apo krijimi i një vaksine parandaluese apo dhe kure për sëmundjen.
Përsa i përket vendit tonë, për 6-mujorin e parë të vitit 2019, duke ju referuar të dhënave nga HIV/AIDS Albania, numri i rasteve të reja me HIV ishte 53.
Vazhdon të jetë në rritje trendi i prekjeve të reja nga Virusi i HIV sikurse dhe zbulimi i tij në faza mesatarisht të vonshme, shkruan HIV/AIDS Albania, faqja e dedikuar të prekurve nga virusi HIV në Shqipëri.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të HIV, rikujtojmë ndjekësit tanë se pranë Aleanca LGBT, testimi për HIV dhe sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme kryhet falas dhe në mënyrë tërësisht konfidenciale.
Testimi i rregullt dhe ndërgjegjësimi mbi sëmundjen dhe mënyrat e përhapjes së saj, është mjeti më i mirë i cili mund të ndihmojë momentalisht në uljen e rasteve të reja.
Si transmetohet HIV-i?
HIV mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të infektuara të trupit si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.
Disa sjellje e kushte që sjellin rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë:
- Marrëdhënie seksuale të pambrojtura, vaginale ose anale.
- Infeksione seksualisht të transmetueshme si sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore.
- Shkëmbimin e gjilpërave të kontaminuara, shiringave dhe pajisjeve të tjera gjatë injektimit të drogës.
- Marrjen e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, si dhe procedurat mjekësore që përfshijnë prerjen josterile me instrumente të mprehta të kontaminuara.
- Shpimet aksidentale me gjilpërë, përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor.
- Transmetimin nga një nënë e infektuar te fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji.
Njerëzit nuk mund të infektohen nëpërmjet kontaktit të zakonshëm gjatë bashkëjetesës normale që mund të sjellë përdorimin e përbashkët të dushit, vaskës, wc-së, peshqirit, telefonit, mjeteve të transportit publik, pishinës, frekuentimit të shkollës etj.
Po ashtu, infeksioni HIV nuk rezulton të merret nga e puthura, përqafimi, shtrëngimi i duarve, teshtitja dhe kollitja, si dhe nuk transmetohet përmes ujit, ushqimit, ajrit, pickimit të insekteve apo kujdesit për kafshët.