Në fakt, për të gjithë ata që besojnë te feja myslimane dhe te Kurani, thuhet që nji kto cunat kshu dhe ato që bojn magji, mos me dalin para se ditën kur t’i vë rresht për nji, këto dy kategori jo.
Me fjalët e mësipërme, prezantuesi i emisionit investigative Stop në Tv Klan, në një orar aspak të përshtatshëm për transmetim, prezanton një kamerë të fshehtë ku shfaqen punonjëse seksi të komunitetit transgjinor në Tiranë.
Me shqetësimin e madh për mirëedukimin e fëmijëve dhe ‘zëdhënës’ i dhjetëra prindërve të shqetësuar, Sajmir Kodra përdor gjuhë të tillë urrejtjeje kundrejt punonjëseve të seksit, sipas tij të padenja dhe për tu gjykuar nga zoti te i cili beson.
Duke lënë pas mënyrën se si trajtohet fenomeni i prostitucionit, ku nuk analizohen shkaqet që i shtyjnë këto vajza të dalin rrugëve, në vend që të jenë duke lexuar librat fetarë aq devotshmërisht sa bën Sajmiri, shumë shqetësuese është gjuha e përdorur që nxit urrejtjen dhe mund të shkaktojë dëmtime të mëdha të fëmijët, po aq sa përballja e tyre me padrejtësitë shoqërore që ekzistojnë në shoqëri.
Padrejtësi këto që i japin mundësinë burrave si Sajmiri të gjykojnë vuajtjet dhe gjendjen e mjerueshme në të cilën jetojnë mijëra gra e vajza në Shqipëri, që i shtyn ato shpeshherë drejt ushtrimit të prostitucionin për të mbijetuar.
Duke ndjekur procedurat e nevojshme për adresimin e gjuhës së urrejtjes dhe thyerjes së kodit të transmetimit, i bëjmë thirrje Autoritetit të Mediave Audiovizive, si institucioni i vetëm rregullues i medias në vend, të marrë parasysh kërkesat e mëparshme të depozituara për gjuhën e urrejtjes dhe të kryejë me përpikmëri detyrimet e tij ligjore.
Gjuha e urrejtjes, transfobia dhe nxitja e krimeve të urrejtjes janë të dënueshme me ligj, njësoj si prostitucioni, prandaj u bëjmë thirrje mediave kombëtare dhe moderatorëve, të tregojnë përmbajtje dhe etikën e duhur në trajtimin e temave dhe të rishikojnë gjuhën e përdorur.