Rritet numri i vrasjeve në Brazil ndaj komunitetit LGBT
*Foto: Twitter
Numri i vrasjeve të personave LGBT në Brazil ka thyer rekord për vitin 2017, shprehen studiuesit e shumtë. Së paku 445 persona LGBT në Brazil u vranë si pasojë e krimeve me bazë homofobinë gjatë 2017- një rritje prej 30% që prej 2016 – sipas grupit monitorues për të drejtat e komunitetit LGBT “Gay de Bahia”.
Viktimat – ku numërohen 387 vrasje dhe 58 vetëvrasje – duke përfshirë Dandara dos Santos, një grua transseksuale e cila u godit për vdekje në qytetin veri-lindor brazilian, Fortazela në Mars. Një video e saj ku shihet se si dhunohet qarkulloi në rrjetet sociale, me agresorët në sfond që i hidhnin sharje homofobike.
Brazili konsiderohet si një prej vendeve më të dhunshme në botë, me rreth 62.000 vrasje gjatë 2016. Sipas antropologut dhe presidentit të “Grupo Gay de Bahia” Luiz Mott, rritja e dhunës i atribuohet politikanëve ultra-konservatorë, shumë prej të cilëve janë të atashuar me komitetin drejtues evangjelik në kongres.
“Diskursi që përdoret prej këtyre politikanëve cënon rëndë solidaritetin dhe i barazon personat LGBT me kafshët,” u shpreh Mott.
Gjuha e urrejtjes dhe diskriminuese me bazë homofobinë nuk është e dënueshme me ligj në Brazil. “Gjatë dekadës së fundit shteti brazilian u përpoq të hartonte politika që do të mund të mbronin grupe të margjinalizuara sikurse janë gejtë dhe personat trans, por mbeti një përpjekje pa sukses. Ky rezultat erdhi si pasojë e mungesës së investimeve ose mungesës së politikave pak më vizionare,” u shpreh Jurema Werneck, drejtoreshë ekzekutive tek “Amnesty International Brazil”.
Kjo panoramë e Brazilit bie ndesh me imazhin që ky shtet ka ndërtuar në sytë e botës, ku njihet si vendi ku zhvillohet një prej paradave më tëë mëdhaja në botë dhe ku martesat brenda gjinisë së njëjtë janë legalizuar./k.m/
Burimi: The Guardian