Rraklli: Nuk merrem me prirjet seksuale të vajzave
Deklarata e një dite më parë për “Panorama Sport” e futbollistes së Juban Danjës, Marçela Ndoci, se në futbollin e femrave nuk mungojnë lezbiket ka indinjuar pa masë trajnerin e Kombëtares, Altin Rraklli.
Sipas Ndocit, ky fenomen ekziston edhe në Kombëtaren shqiptare të futbollit të femrave, ndërsa tregon se si ajo vetë është ngacmuar seksualisht në një moment dhe menjëherë ka refuzuar duke u larguar nga vendi ku është ngacmuar nga një tjetër futbolliste e Kombëtares shqiptare. Në një reagim për gazetën, kreu i pankinës kuqezi u shpreh se kjo është hera e parë që dëgjon një rast të tillë për sa kohë ka qenë trajner. “Dua të sqaroj në pozicionin e trajnerit të kombëtares se nuk merrem kurrsesi me prirjet e futbollisteve, por gjithë kohës jam i përqendruar në përgatitjet e futbollit për femra. Ju bëj me dije se kurrë më parë nuk kam pasur probleme të kësaj natyre. Nuk di sikurse pretendon futbollistja që gjatë kohës që ka qenë e grumbulluar të ketë pasur një precedent të tillë. Asnjëherë. Por do të bëja apel se do të ishte mirë të përqendroheshim në promovimin e futbollit të femrave dhe të mos e njollosim këtë sport”, u shpreh në reagimin e tij për gazetën trajneri i përfaqësueses kuqezi./A.A.