Jemi shumë të lumtur t’ju njoftojmë se sezoni i tretë i serive të diskutimeve queer “Queer Talks” do të rikthehen në platformat tona.
“Queer Talks” si produkt i Historia Ime dhe Pro LGBT, janë seri e diskutimeve që trajtojnë tema politiko-sociale rreth komunitetit LGBTIQ+ në Shqipëri dhe më tej.
Në diskursin publik e në masmedia, komuniteti LGBTIQ+ nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Hapësira që i’u dedikohet personave LGBTIQ+ shpesh haset me konotacion negativ e sensacional, e në shumë raste edhe me gjuhë të urrejtjes, sterotipizim, shtypje dhe homofobi e transfobi. Sidomos në një kohë kur të drejtat LGBTIQ+ po shtypen dhe kundërshtohen agresivisht nga propaganda homofobike, nevoja për të përforcuar diskursin publik mbi çështjet queer është shumë e rëndësishme.
Në masmedia dhe në publik, sidomos kohëve të fundit, kemi qenë dëshmitarë të një propagande të rrezikshme e të frikshme ndaj personave LGBTIQ+. Rrjedhimisht, në vazhgën e shumë aktiviteteve me synim informimin publik dhe mbrojtjen e të drejtave LGBTIQ+, Historia Ime dhe Pro LGBT po rikthejnë “Queer Talks”.
“Queer Talks” rikthehet me sezonin e tretë për t’i ndryshuar drejtim diskursit publik dhe për ta ushqyer atë me informacione të sakta mbi çështje që lidhen me temat LGBTIQ+. Këto diskutime në të cilat do të kontribuojnë personalitete shumë të rëndësishme, do të japin dritë mbi anën sociale, politike, ekonomike e ligjore të personave LGBTIQ+.
Gjatë dy sezoneve të kaluara, Queer Talks kanë inicuar diskutime mjaft interesante me aktorë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm. Këto diskutime mund t’i ndiqni në IGTV në faqen tonë të instagramit Historia Ime.
Duke filluar nga java e ardhshme, Queer Talks do të jenë të aksesueshëm për të gjithë ju në platformën e Historia Ime. Mysafirë të ndryshëm, figura publike, aktivistë nga mbarë bota do ju presin me diskutime të jashtëzakonshme mbi çështje fort interesante dhe të rëndësisshme.
Për më shumë, ju ftojmë të na ndiqni në rrjetet tona sociale.
Edhe këtë sezon, këto diskutime do të moderohen nga Agon Rexhepi dhe përkrahen financiarisht nga Equal Rights Independent Media (ERIM) dhe Agence Francaise de Developpement (AFD)./ Agon Rexhepi