Revolucioni i shpejtë seksual i Kinës
Gjatë 20 viteve të fundit, mentaliteti dhe sjellja e kinezëve karshi seksit ka kaluar nëpër një revolucion – një proces i vëzhguar me kujdes dhe ndonjëherë i inkurajuar nga seksologia e parë femër e vendit, Li Yinhe.
“Në studimin e parë të kryer në vitin 1989, 15.5 për qind e popullatës kishte kryer seks përpara martesës”, thotë Li Yinhe. “Por në një studim që kreva dy vite më parë, shifra shkoi në 71 për qind.”
Ky është vetëm një nga shumë ndryshimet e shpejta që ajo ka regjistruar në karrierën e saj. Ajo përdor fjalën revolucion dhe është e lehtë të kuptohet përse. Deri në vitin 1997, seksi përpara martesës ishte i paligjshëm dhe mund të ndiqej penalisht si “huliganizëm”.
Si një sociologe e re, Li e kaloi shumicën e viteve 1980 në studime në Pitsburg në SHBA. Kur ajo u kthye në Kinë, gjeti një vend që jetonte ende në klimën puritane të vendosur nga Mao.
Në fillimin e viteve të regjimit komunist, të shkruaje rreth dashurisë konsiderohej si borgjeze. U bë e mundur nga fundi i viteve 1950, thotë Li, por shkrimi rreth seksit ishte i ndaluar deri në vitet 1980 dhe autorëve të atëhershëm nuk u lejohej të shkonin shumë larg.
Libri i Li, “Nënkultura e homoseksualitetit”, botuar në vitin 1998, mund të blihej vetëm nga njerëzit që kishin letra ftese nga punëdhënësit e tyre ose prej zyrtarëve të pozicionit të lartë.
Kushtet e librit të saj të ngjashëm mbi sadomazokizmin, botuar në të njëjtën kohë, ishin më ekstreme.
“Më informuan se librit iu dogjën të gjitha kopjet. Por deri atëherë, 60 000 libra ishin shitur. Ndaj lajmërimi i djegies nuk i preku të gjitha”, thotë ajo.
Përkthimi i saj i një libri për biseksualitetin u refuzua nga botuesit kinezë dhe asaj iu desh të hidhte sytë përtej Kinës për në Hong-Kong për të gjetur një botues për studimin e saj mbi poliseksualitetin.
“Ajo e pozicionon veten si një akademike avangarde që po prezanton të ashtuquajturat standarde ndërkombëtare drejt seksualitetit … dhe kështu tolerohet nga kolegët e saj, audienca e gjerë dhe gjithashtu regjimi”, thotë doktoreshë Haiqing Yo, bashkautore e librit “Seksi në Kinë”.
Një nga impulset kryesore që nxiti ndryshimin në sjelljen ndaj seksit, sipas Li, ishte politika e një fëmije nga Partia Komuniste, që u zbatua nga viti 1979 deri në 2015-n.
“Politika me një fëmijë i lejonte njerëzit të kishin vetëm një ose dy fëmijë. Në vend që të hiqnin dorë nga seksi, njerëzit ndryshuan arsyen përse e bënin. Kështu justifikohet seksi si kënaqësi”, thotë ajo.
“Njerëzit po kalojnë një ndryshim revolucionar në mendjen e tyre dhe po ashtu në sjellje dhe kërkimi im është në krye të këtij ndryshimi.”
E akuzuar nga një bloger se është një lezbike e padeklaruar, Li u përgjigj në dhjetor 2014 me një postim blogu që zbulonte se partneri i saj i 18 viteve ishte një burrë trasgjinor. Për befasinë e saj, përgjigjja ishte kryesisht pozitive dhe çifti u fotografua për kopertinën e “People Weekly”, një revistë e njohur.
“Mendoj se ata e shohin transseksualizmin si më të pranueshëm sesa homoseksualizmin, sepse e konsiderojnë atë heteroseksual të zënë në kurth në trupin e gabuar. Megjithatë, sinjali i vërtetë i tolerancës në një shoqëri është sjellja ndaj homoseksualitetit”, thotë Li.
Vetëm në vitin 2011, Kina e hoqi homoseksualitetin nga lista e sëmundjeve mendore dhe akoma edhe sot, të drejtat e personave gej janë ende të kufizuara.
Martesa mes tyre nuk është e ligjshme, nuk ka mbrojtje antidiskriminim për personat gej në vendin e punës dhe një filmim i fshehtë zbuloi vitin e shkuar se doktorët kinezë përpiqen “ta kurojnë” atë me elektroshok, një praktikë e ndaluar nga gjykata.
Por, sipas Li, të drejtat e personave gej do të evoluojnë gjithashtu. Dikur burrat dhe gratë gej ishin të padukshëm në shoqërinë kineze, por sot ata kanë filluar të dalin në sipërfaqe, thotë ajo./A.A.