Reklama rreth terapisë kundër homoseksualitetit në Facebook po ngjall zemërata
Sekuencë e shkëputur nga reklama / Facebook
Një video reklamuese për terapinë kundër homoseksualitetit ka bërë xhiron e botës duke marrë më shumë se 1.5 milion klikime në rrjetin social Facebook.
Grupi amerikan i evangjelistëve “Anchored North” publikoi video-n shokuese, ku në titull thuhet “ Dashuria mbetet dashuri” pra në pamje të parë duket sikur bëhet fjalë për një spot ndërgjegjësues rreth komunitetit LGBT. Teksa minutazhi i video-s avancon shikuesi arrin të kuptojë se në fakt bëhet fjalë thjesht për persona gej që pendohen për seksualitetin e tyre.
Video përmban historinë e një gruaje e cila rrëfen se si u kurua prej homoseksualitetit me anën e besimit në Zot. Edhe pse terapia kundër homoseksualitetit është hedhur poshtë nga shumë klinika mjekësore dhe qendra të tjera të certifikuara, rrjeti social Faceboook ka refuzuar ta heqë klipin.
Rikujtojmë se vitin e shkuar po i njëjti grup i evangjelistëve “Anchored North” i pagoi me mijëra dollarë Facebook-ut për të publikuar një reklamë të ngjashme me target komunitetin LGBT.
Pas ankesave të shumta Facebook vendosi ta nxjerri jashtë qarkullimi klipin, duke komentuar: “Kjo reklamë bie ndesh me politikat tona të reklamimit, ndaj vendoset që klipi të hiqet”.
Sa i përket video-s që po qarkullon së fundmi, stafi i Facebook ende nuk ka dhënë një prononcim.
Terapia e ashtuquajtur për kurimin kundër homoseksualitetit është hedhur poshtë nga shumë shoqata mjekësore mbarë botërore si “World Psychiatric Association”, “The American Psychiatric Association”, “The American Medical Association”, “The UK’s National Health Service” si dhe dhjetëra shoqata të tjera.
Ekspertët e mjekësisë shprehen se një terapi e tillë është e dëmshme dhe mund të sjellë dhe rritje të riskut për vetëvrasje ose depresion./k.m/
Burimi: Pink News