Reagim i organizatave për mbrojtjen e komunitetit LGBT+ në Shqipëri

Pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtava të njeriut në Shqipëri, Aleanca kundër Diskriminimit LGBT, Pro LGBT dhe Streha kanë dalë me një qëndrim zyrtar mbi gjetjet e raportit.
Duke përshëndetur gjetjet e raportit, në deklaratë theksohet dhe njëherë rëndësia e respektimit të të drejtave të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri dhe shtimi i përpjekjeve institucionale për përparimin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në vazhdimësi deklarata e plotë:
DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR SHTYP
Aleanca LGBT, Pro LGBT dhe qendra STREHA, tre organizatat kryesore për të drejtat e komunitetit LGBTI+ në Shqipëri përshëndesin raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, si një raport nga i cili qeveria duhet të mbajë shënim detyrat që i ngarkohen.
Si në asnjë vit tjetër më parë, hapësira e kushtuar ndaj çështjeve LGBTI+ në këtë raport ishte jo vetëm më e madhe, por ishte edhe në mënyrë substanciale më e thelluar dhe detajuar.
Kjo provon atë që tashmë kemi kohë që e themi me zë të lartë dhe pa asnjë kompromis se, pavarësisht angazhimeve zyrtare të qeverisë shqiptare, aspak ose shumë pak është bërë që gjërat të ndryshojnë në realitet, e jo vetëm në letër.
Në këtë raport bëhet e ditur se si nga dy raste diskriminimi ndaj LGBTI të denoncuara pranë Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi ne vitin 2018, në asnjë prej të dyjave rasteve nuk u mor ndonjë vendim në favor të komunitetit LGBTI.
Raporti, si kurrë më parë në të kaluarën, përmend edhe një rast të thirrjes për urrejtje të ardhur nga përfaqësues të një komuniteti fetar. Kjo ka rëndësi pasi tregon një trend në rritje të gjuhës së urrejtjes që vjen nga përfaqësues të feve në Shqipëri, diçka që qartazi nuk duhet të përsëritet më.
Raporti thekson me shembuj konkretë edhe se si Policia e Shtetit ka dështuar të mbrojë pjesëtarë të komunitetit trans, madje në një rast të dokumentuar Policia i ka kërkuar viktimës, një gruaje transgjinore, që ta tërheqë denoncimin. Dy javë më pas ajo u sulmua sërish nga të njëjtët dhunues ndaj të cilëve Policia nuk mori asnjë masë.
Kjo pjesë e raportit e ve në dyshim konsiderimin e Shqipërisë si një vend të sigurt. Kjo pjesë e raportit është njësoj si qëndrimi ynë se një vend ku policia nuk e ka vullnetin për ti mbrojtur nga dhuna pjesëtarët më të dobët të vet, nuk mund të jetë një vend i sigurt.
Më tej në raport mbahet shenim qëndrimi i medias tradicionale dhe asaj online në rastin e iniciativave që ne kemi ndërmarrë kundër bullizmit në shkolla. Departamenti amerikan ve në dukje se, në vend që të kritikonin bullizmin, mediat akuzuan aktivistët LGBTI se po përpiqeshin të influenconin të rinjtë. Edhe ky pasazh në raport tregon se sa larg jemi nga të qënit një vend i mirë për të gjithë, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor.
Raporti i plotë:
https://www.state.gov/j/drl/rls/hrrpt/humanrightsreport/index.htm#wrapper