Raporti për LGBT nga “Stonewall”: transfobia në rritje
*Komuniteti LGBT në Britani – Raport nga “Stonewall”
“Komuniteti LGBT në Britani – Raporti për transgjinorët” është një ndër kërkimet më të fundit të realizuar nga organizata “Stonewall”, duke marrë të dhëna specifike nga 871 persona trans dhe me identitet gjinor të papërcaktuar (non-binary people).
Kjo organizatë ka kontraktuar shoqatën “YouGov” për realizimin e anketës në fjalë, ku u anketuan më shumë se 5.000 persona të komunitetit LGBTI në Angli, Skoci dhe Uells. Raporti investigon specifikisht eksperiencat jetësore të 871 personave të komunitetit trans në sektorë të ndryshëm të jetës, në Britani. Nga raporti shihet se komuniteti trans në Britani përballet me nivele të theksuara të diskriminimit dhe krimeve të urrejtjes.
Disa prej rezultateve më alarmante janë:
- rreth 48% e personave transgjinorë nuk ndihen komod në përdorimin e tualeteve publike për shkak të frikës nga diskriminimi;
- rreth 34% janë diskriminuar për shkak të identitetit gjinor në bare, kafene, restorante dhe vende të tjera publike gjatë vitit të kaluar;
- rreth 28% e personave transgjinorë janë abuzuar fizikisht nga partneri i tyre;
- më shumë se dy në pesë persona transgjinorë (44%) Iu shmangen disa rrugëve për shkak të frikës nga transfobia;
- një në 4 persona transgjinorë (25%) janë diskriminuar teksa kërkonin për qera ose shtëpi gjatë vitit të kaluar.
Nga raporti shihet se personat trans nuk marrin mbështetje as nga familjet e tyre, me më shumë se një e katërta e komunitetit trans e dhunuar nga familjarët. Të dhënat dëftojnë se 1 në 4 persona trans kanë përfunduar të pastrehë gjatë një momenti në jetët e tyre. Më poshtë gjenden disa prej përshtypjeve të personave trans dhe sfidave që ata ndeshin në përditshmërinë e tyre në Britani:
“Kam nisur universitetin këtë vit dhe eksperienca në të ka qenë një ferr i vërtetë. Kjo vjen si pasojë e bullizmit, talljes dhe përqeshjes që marr për shkak të identitetit tim gjinor” (Taylor 23 vjeç)
“Çdo herë që dal nga shtëpia është dikush që më ofendon, dhe së paku një herë në javë kërcënohem me jetë” (Steve 21 vjeçar)
“Pesë vite më parë e mendoja të pamundur të dalurit hapur për identitetin tim gjinor, por shoh se këto vitet e fundit progresi ka qenë i shpejtë. Fatkeqësisht, media po nxit urrejtjen ndaj komunitetit trans në 6 vitet e fundit. Kjo lloj urrejtje e cila po përhapet me shpejtësinë e dritës po më shkakton shumë ankth për sigurinë e jetës sime” (Willow 40 vjeçare)
Raporti mund të aksesohet i plotë këtu./k.m/
Burimi: Stonewall.org