Rama, mashtruesi tipik në vendin e OJF-istëve pasanikë
Rama, mashtruesi tipik në vendin e OJF-istëve pasanikë
Nga Kristi Pinderi
Në fjalimin që Edi Rama mbajti në Asamblenë e PS në lidhje me sfidat që e presin qeverinë e re prita që të fliste, ndër të tjera, edhe për të drejtat e njeriut dhe të tregonte se çfarë do të bënte më shumë që këto të drejta të gjejnë respektim konkret në politikat e qeverisë.
Mirëpo, kryeministri Rama jo vetëm që nuk u kujdes të përfshinte në fjalimin e tij ndonjë mendim se si, qeveria që ai do drejtojë mund t’ua bëjë jetën më të mirë grupeve më të pafavorizuara, por ai nuk denjoi as të shpjegonte se pse Ministria e Mirëqënies Sociale do të shkrihet për t’u bërë një shtojcë e Ministrisë së Shëndetësisë.
Cfarë kuptova dhe çfarë konfirmova:
Prita disa ditë në mënyrë që jo vetëm të kuptonim më shumë se si do të funksionojnë ministritë e reja dhe si do mbulohen dikasteret e shkrira, por edhe për të parë si do reagonte “shoqëria civile”. Besova, deri më sot se, të paktën dikush nga shoqëria civile do të kishte kurajon për të reaguar kundër vendimit të pakonsultuar të zotit Rama për të shkrirë MMSR e për të arkivuar me këtë vendim, edhe të gjitha dokumentat zyrtare, VKM, politikat, apo çdo vendim tjetër për komunitetet e pafavorizuara, që po ai vetë dhe qeveria që drejtoi 4 vitet e fundit ndërmori e firmosi.
Dhe këtu, në fakt, konfirmova diçka që kisha kohë që e dyshoja: shumë nga grupimet që duhet të mbrojnë të drejtat e njeriut në Shqipëri, janë të pafuqishme për shkak se hapësirat publike ku shoqëria civile duhet dhe mund të shprehet janë zaptuar tashmë, nga një establishment i korruptuar që vepron ekzaktësisht si ç’do donte pushteti ekzekutiv apo ai financiar që të vepronte!
Nga ana tjetër jo pak individë që përfaqësojnë njëkohësisht edhe shoqërinë civile janë njerëzit më të korruptuar të Shqipërisë. Janë “raca” e vetme unikale në botë që prezantohen si aktivistë për të drejtat e njeriut, ama përmes angazhimit në shoqërinë civile janë shndërruar në pronarë vilash, apo makinash Land Rover psh, super të shtrenjta; në njerëz që pushimet i bëjnë në vende ekzotike (Karaibe, Brazil, apo në ishujt Maldive, etj), etj…
Vetëm në Shqipëri mund të gjesh “aktivistë” për të drejtat e fëmijëve, psh, që janë njëkohësisht pronarë shtëpish në kryeqytet e pastaj edhe në bregdet; vetëm në Shqipëri gra “feministe” janë pronare të disa pasurive të paluajtshme të përfituara nga koha si drejtuese shoqatash, etj.
Ndaj, ku më mirë se në Shqipëri, ku përfaqësues të shoqërisë civile janë njësoj të korruptuar si edhe establishmenti politik, apo ai i gjyqësorit, apo ai financiar, mund ta shkrish një ministri që ka memorien historike 26 vjeçare të të gjitha politikave sociale, të dështuara ose jo e pasi të shkrish historinë askush mos ketë kurajon të të thotë se e ke gabim?!
“Qeveri e vogël” apo shmangie nga përgjegjësitë?
Në Shqipëri ka një keqkuptim të madh në lidhje me konceptin e “qeverisë së vogël”. Ky koncept i së djathtës konservatore nuk do të thotë domosdoshmërisht më pak ministri apo më pak ministra. Por një rol më të vogël të shtetit në çështje që mund të mbulohen nga ekonomia e lirë! Ndaj, do të ishte me vend nëse zoti Rama na sqaron në mendon të shkurtojë ministritë apo çështjet?!
Të zvogëlojë numrin e zyrtarëve që punojnë për problematika sociale apo të ulë buxhetin në dispozicion të problematikës sociale?!
Duhet pyetur zoti Rama, nëse me qeverinë e re dhe strukturën e re të saj, synon të mbulojë me efikasitet përgjegjësitë që dështoi t’i përmbushë në këto 4 vitet e kaluara, apo synon t’i shmangë ato përgjegjësi?!
Kam frikë se, zoti Rama kërkon të shmangë përgjegjësitë!
Dhe në një vend si Shqipëria, kjo qenkërka gjëja më e lehtë për tu bërë…
Ndaj më duket një gënjeshtar tipik ky kryeministër megalloman, që herët ose vonë do analizohet për atë që është në të vërtetë: një mashtruesi i veshur me shije.