Qipro legalizoi bashkëjetesën civile për çiftet gej dhe ato heteroseksuale
Qiproja ka legalizuar bashkëjetesën civile për çiftet gej dhe çiftet heteroseksuale, me një Ligj për Bashkëjetesën Civile që ju dërgua të premten presidentit për nënshkrim, pas miratimit nga një shumicë parlamentare ndër-partiake.
Partitë qipriote lejuan deputetët e tyre të votojnë sipas ndërgjegjes për futjen e partneritetit civil, i cili u kundërshtua me forcë nga Kisha ortodokse greke e Qipros me pretendimin se ai do të dëmtojë martesën tradicionale dhe strukturën e shoqërisë.
Nga 56 anëtarë të parlamentit, 39 votuan në favor, 12 kundër dhe 3 abstenuan. Dy deputetë mungonin.
Anëtarë të lëvizjes LGBT të pranishëm në debat shpërthyen në brohoritje, pasi u njoftua rezultati i votimit.
Por lideri i partisë DIKO, Nicolas Papadopulos i cili votoi në favor të legjislacionit, tha se ligji nuk kishte të bënte me homoseksualitetin.
“Ne po votojmë për liri dhe barazi. Projekt-ligji ka të bëjë me lejimin e një bashkimi alternativ,” tha Papadopulos.
Legjislacioni në mënyrë eksplicite ndalon adoptimin e fëmijëve nga çiftet në bashkëjetesë civile, ndonëse në praktikë njëra nga palët mund të aplikojë për miratim si një prind i vetëm.
Mbështetësit e projekt-ligjit thanë se votuan pro tij, sepse ai rregullon të drejtat dhe detyrimet e çifteve që dëshirojnë një marrëdhënie ndryshe nga martesa tradicionale në kishë apo një martesë civile.
Projekt-ligji u emërua fillimisht Marrëveshja e Ligjit të Bashkëjetesës por u riemërua në procesin e debatit të tij në Ligji i Bashkëjetesës Civile për të pasqyruar faktin se bashkimi nuk është një marrëveshje e lidhur nga partnerët, por një gjendje e rregulluar me ligjet e shtetit./A.A.