Qeveria do të punësojë një zyrtar nga komuniteti LGBT për komunitetin LGBT
Qeveria e Kosovës, ka vendosur që në përbërjen e saj të ketë një zyrtar që i përket komunitetit LGBTI (gej, lezbike, biseksual, transgjinor apo interseksual).
Këtë e ka konfirmuar, Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimit Evropian, i cili ka thënë se Ministria e Integrimeve po planifikon të angazhojë në kabinetin e ministrisë, një person që i përket këtij komuniteti në kuadër të punës së Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e jetës së personave të komunitetit LGBTI.
“Duam të angazhojmë një person që të punojë në kabinetin tonë dhe që i përket komunitetit LGBT, i cili do të punojë me institucionet e tjera dhe me ne, për të ofruar trajnime dhe informata se cila është gjendja e komunitetit”, ka thënë Ilazi në një intervistë dhënë për emisionin dedikuar këtij komuniteti në Radion Vala Rinore.
Sipas Ilazit, përmes këtij këshilltari, Qeveria dëshiron të përmirësojë jetën e këtij komuniteti dhe të jetë e informuar në detaje me kërkesat dhe problemet e tyre.
“Duam të ndryshojmë gjërat, ndërsa nëse do të kemi sukses apo jo kjo mbetet të shihet” ka shtuar mes të tjerash Ilazi i cili është angazhuar vet për vite me radhë në konferenca të ndryshme ku flitet mbi komunitetin LGBTI./A.A