Pse Xheni s’duhet të futet në gjimnazet tona
* Nga Sofia Limani
Në kulmin e përmbytjeve në Shkodër, në prag të përgjigjes për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, vendosëm të kryejmë një hulumtim të imtësishëm në the dark side of Internet, ku një ekip i tërë hackerash arritën të zbulonin në Facebookun e Xheni Karajt, dhjetëra foto publike (që shihen dhe nga personat që s’janë friends me të) të publikuara në profilin e saj ka shumë shumë muaj. Ky hack na nxori në dritë një skandal të përmasave të papërfytyrueshme, duke na detyruar t’jua heqim vijën atyre dy pikave në fillim të paragrafit. Histerinë kolektive që u shfaq në rrjetet sociale, pavarësisht që filozofë dhe psikiatër dhe psikologë mund ta quajnë të dëmshme dhe subjektive, ne e shohim krejt ndryshe, sepse ka disa psikiatër underground diku në ndonjë fshat të Amerikës që histerinë s’e quajnë sëmundje, por dukuri të një tjetër natyre, madje madje përdorin dhe metoda shkencërisht të pranuara prej tyre dhe nesh, si ekzorcimi, për të çliruar trupin nga demonët. Njësoj, edhe ne duam ta çlirojmë shkollën nga Xheni Karaj, dhe më poshtë ju rendisim pse.
Së pari, shkolla duhet të jetë një institucion i pavarur, laik, legjitim, që edukon brezin e ri vetëm dhe vetëm me objektivizëm.
Shkolla shqipe, që prej hapjes së saj në Korçë, bën vetëm e vetëm këtë gjë. Tekstet tona shkollore s’kanë pasur asnjëherë subjektivizëm. Ok, përveç datës së çlirimit që në histori të klasës së katërt e kam pasur 29, në klasë të tetë, 28, në gjimnaz literalisht “në mesnatë të 28 në të çelur të 29”. Përveç këtij rasti s’di tjetër. Ok, ja, ja dhe edukatë qytetare ku na thuhej literalisht “femrat janë më të prirura të studiojnë shkenca sociale, ndërsa meshkujt shkenca ekzakte, një mashkull s’mund të jetë edukatore, …”. Përveç kësaj s’di tjetër. Oh, po, dhe në edukim shëndetësor ku doktoresha e licencuar na thoshte “vajza nën 18 vjeç jo e virgjër kushedi me sa fle, prandaj përdorni mjete mbrojtëse se merrni Sida” dhe me mbrojtje i referohej vetëm meshkujve, sepse vetëm meshkujt kanë jetë seksuale, dhe këtë jetë e kanë vetëm me këto vajzat që me kë s’flenë. Doktoresha jonë e licencuar thoshte që po abortove, s’bën dot më kurrë fëmijë, kjo ishte sipas saj masa mbrojtëse për femrat: po bëre seks me mbrojtje, s’dihet me sa fle, po bëre seks pa mbrojtje, do të abortosh, s’do të bësh më fëmijë, bam, fundi i botës. Po ok, përveç këtyre rasteve, dhe ca rasteve të tjera dhe të tjera dhe të tjera, qëndrojnë fort një sërë lëndësh super objektive si matematika, kimia dhe fizika.
Përsa kohë Xheni propagandon nëpër shkolla një teori të pranuar vetëm dhe vetëm nga Instituti Amerikan i Psikiatrisë, OBSH, çdo shtet i BE, çdo shtet perëndimor, çdo universitet dhe akademi legjitime shkencash në gjithë perëndimin, ama bie ndesh me besimin tim personal dhe atë të shokëve të kafes, mund ta quajmë propagandë të zhbalancuar dhe subjektive, e cila synon të shfaqë vetëm një anë të medaljes. Po njësoj, duhet në shkolla, psh, të mësohet dhe teoria që toka është e sheshtë: po të hapësh internetin (jo the dark side aka profili i Xhenit), gjen që në ShBA mbahen konventa me VIP-a dhe shkencëtarë (150 000 mijë pjesëmarrës) që mendojnë së Toka është e sheshtë. Mqs ekziston ky grupim, atëherë, të hedhim poshtë gjithë shkencën nga rilindja dhe më tej, dhe ta bëjmë shkollën të hapur dhe për ide gjeniale të Earthflatters, të cilët kaq padrejtësisht tallen nga shkenca mainstream e blerë tanimë prej globe-lobby që prej rilindjes, lëvizje që shthuri botën me idera si për shembull …shkenca.
Së dyti, shkolla ka detyrën e shenjtë të edukimit të brezit të ardhshëm të vendit me dhe mbi bazën e shëndoshë të arsyes dhe vlerave e kulturës sonë.
Në këtë aspekt shkolla zorr se ka dështuar. Shkolla na ka përgatitur aq mirë për terrenin e butë dhe të paqtë social në Shqipëri, sa të rinjtë dhe të rejat që në vit të parë të gjimnazit u bënë anëtarë partish dhe propagandonin organizatat e tyre politike nëpër shkolla. Pas provimeve të maturës, ndërkohë që bashkëmoshtarët tanë të shushatur nëpër BE votojnë dhe shkojnë në universitet, ne bëhemi direkt drejtora drejtorish e ligjvënës të përgjegjshëm dhe të lirë në skenën politike shqiptare. Arritje më të madhe se kjo, s’di të ketë. Shkolla shqipe na ka mësuar si të luftojmë bullizmin, duke marrë parasysh vetë raportin prindër-mësues: kur mësuesi vë shtatë, prindi bully me një takim e shndërron në dhjetë absolute për vitet e mbetura të gjimnazit: kur vjen prindëri, mungesat fshihen, nota shërben si një mall demonstrues i kërkesë-ofertës, dhe e gjithë kjo skenë, na mësoi se bullizmi luftohet me servilizëm dhe kokëulje dhe pakëz korrupsion për lezet, vlerë kjo që do të trashëgohet me korrektësi nga brezi ynë. Shkolla na mësoi që një event pas mësimi me dëshirë mund të shndërrohet në surprizë-miting me pjesëmarrje-surprizë me detyrim: nëpërmjet kësaj ne mësuam ç ‘është skepticizmi. Shkolla na mësoi se individë të ndryshëm kanë qasje të ndryshme ndaj temperaturës, ndaj kaldajat që s’ndizeshin ndonjëherë, ndizeshin vetëm kur vinin për vizitë media dhe politikanë: nëpërmjet kësaj, mësuam që paraja dhe pushteti e kanë më shumë të nevojshme ngrohjen dhe janë më delikatë se ne. Na mësoi që gocat me të dashur në shkollë hanin shpullë nga zysha në mes të oborrit, se ishin të përdala: nëpërmjet këtij gjesti, zysha na demonstroi sesi në të ardhmen ne gocat mund të vriteshim për hiçmosgjë. Kur gjithë zyshat na thonin “ikni jashtë për studime dhe mos u ktheni më”, shkolla na mësoi se “ky vend s’bëhet” dhe më shpejt sesa Xheni dhe LGBT, e shuajmë ne vetë Shqipërinë duke lënë vendin masivisht, dhe duke kapur vendin e parë për numrin e azilkërkuesve dhe emigrantëve në kontinentin tonë. Arritje më të madhe se kjo, s’di. Tani, pse këtë mjedis frymëzues, inspirues, motivues, mbushur me vlera dhe mesazhe për jetën, duhet ta prishë Xheni Karaj duke shkatërruar harmoninë e dhunshme që ne mezi e kemi ndërtuar brez pas brezi? Pse duhet Xheni të tentojë të bëjë gjimnazin tim liberal, kur kujtimet e mia prej tij janë plot vlerë dhe life-changing dhe e tregojnë Shqipërinë fiks ashtu siç është, dhe jo si ndonjë Hollandë, apo Suedi, apo Kanada, Australi, Portugali, Danimarkë, Gjermani, Angli, Irlandë e gjithë vendet e BE që LGBT e kanë pjesë jo takimesh në shkolla, por lënde që në klasë të katërt.
Së treti, Xheni nuk duhet të shkojë në gjimnaze sepse hackerat tanë e nxorën si lezbiken e parë që shkel në gjimnaz.
Tani, kjo na prek pak personalisht, jo për gjë, po sepse Xheni po na merr meritat ne të tjerëve. Nuk ka indinjatë më të madhe sesa të shohësh një artikull me foton e Xhenit në gjimnazin tënd, fiks në klasën ku ti bëje kili-vilit e para, ta nxjerrë media me titullin: LGBT hyjnë në gjimnaze. Pavarësisht që ne konservatorët shqiptarë hipsterat s’i kemi qejf, në këtë rast, duhet thënë “we did it before it was cool”. Kur media pretendon se Xheni qenka lezbikja e parë nëpër gjimnaze, jo vetëm fshin nga historia e pashkruar dashuriçkat tona të para, por na hedh poshtë gjithë ato mësime objektive dhe morale që kemi marrë në shkollë. Ku do të përfundojë thënia e zyshës sime “lgbt janë mollët e kalbura të shoqërisë”? Pavarësisht që, në realitetin tonë do të vlente më shumë “janë paracetamoli në kokainën e shoqërisë”, ose “janë fara në barin e shoqërisë”, ose “janë Shkodra në shirat e shoqërisë”, ose “milionat e munguara në dogana vs ndihma ekonomike e shoqërisë”, këto analogji tregojnë më mirë raportin turp-nder, dëm-krenari në një sens më realist të panoramës së vendit tonë të shtrenjtë. Me këtë lajm, media i heq të drejtat e autorit atij gejit që donin ta përjashtonin nga klasa prindërit e tjerë. Dhe atij gejit që zyshat e thërrisnin motra, dhe atij gejit që gjithë shkolla e thërriste pederast dhe bythëqirë. Gjithë ato vite punë, djersë, kokëçarje na hidhen poshtë, sepse ne fatkeqësisht atëherë s’hidhim foto publike në Facebook dhe hackerat e medias s’na gjenin dot. Indinjatë duhet të kenë dhe mësuesit tanë, të cilëve Xheni me një orë takim me një klasë, arrin t’i hedhë poshtë vite të tëra batutash dhe morali dhënë klasë më klasë vit mbas viti çdo 17 maj. Ç’tu thotë zysha nxënësve pas Xhenit, i thotë dot më: përziejini gejt nga pallati se janë të sëmurë dhe jua ngjisin? Tani, çdo gjë ka dy anët e medaljes, aman gejlliku anën e mirë të medaljes ta mbajë për vete: jashtë shkolle, jashtë medias, jashtë rrugës, jashtë lokalit, jashtë pallatit, vetëm te the dark side of Facebook lejohet!
Si përfundim, i kërkoj Xheni Karajt, të mos shkojë më nëpër shkolla, ose po të shkojë t’i publikojë si private post që t’i shohë vetëm ajo, se ja bën vaki scroll njeri Facebookun dhe sheh fotot e saj me gjimnaziste, shpërthen Buna e homofobisë në internet.
Ose kur të shkojë në shkolla, të marrë me vetë një prift, një hoxhë, një çun nga llotoja afër shkollës, rojën e shkollës dhe ta bëjë takimin orë të hapur dhe ballafaqim mendimesh, ashtu siç për shembull kemi datën e çlirimit: po, jo, mbase 28, mbase 29, mbase 28,5. Nqs Xheni vazhdon të shkojë nëpër shkolla, duhet të nisë çdo takim me premtimin se një shoqëri më pak homofobe mund të vazhdojë të prodhojë emigrantë dhe krim më shumë se çdo vend tjetër i BE, sepse vetëm kësisoj ne nuk do të kemi më frikë se po të jemi më pak homofobë, do të jemi rrjedhimisht më të sjellshëm, më të paqtë, më qytetarë, ndryshe thënë më bq. Më e rëndësishmja: Nqs Xheni vazhdon të shkojë nëpër gjimnaze, fjalimi i saj duhet të nisë si heroi ynë kombëtar, kjo dhe për të respektuar vitin jubilar të Skënderbeut, kaq të rëndësishëm dhe domethënes për vendin tonë sot. Që të gjitha palët të jenë të qeta, Xheni duhet ta nisë fjalën me : “Gejllikun nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush në gjimnaz!”.
Flm,
Sofia Limani